Të shtrenjta biletat e Barca-Manchester, 100 milionë para ekranit.

Më shumë se 100 milionë do të jenë teleshikuesit për finalen e madhe mes Barcelonës dhe Mançester Junajtid në stadiumin “Wembley” të Londrës, ndërsa për ata që do të kenë fatin të jenë në impiant, bileta ka kushtuar minimalisht 80 stërlina dhe maksimalisht 330. Plot 29 për qind e biletave u është dhënë tifozëve të Junajtid dhe 29% tifozëve të Barcelonës, ndërsa bashkësia europiane e futbollit do të ndajë po 29%. Kurse 13% e vendeve i takon londinezëve. Ndërkaq është çdo gjë gati në stadiumin mitik londinez, që nuk është më ai i dikurshmi, inauguruar më 1923, por një kompleks më i ri, më modern, por jo aq historik.
Do të jetë kjo finalja e gjashtë në këtë stadium madhështor dhe të dy finalistët do të jenë në vizitën e tyre të dytë aty. Mançester Junajtid fitoi më 1968 ndaj Benfikës së madhe të Eusebios, me rezultatin 4-1 në finalen e kupës së kampionëve të vendosur pas kohës shtesë. Barcelona ishte aty më 1992 kur luajti dhe fitoi 1-0 finalen ndaj Sampdorias, pas një ndeshjeje tepër të fortë, ku në shtesë vendosi goditja e dënimit e ekzekutuar shkëlqyeshëm nga holandezi Ronaldo Koeman. Ishte ky trofeu i parë në Champions fituar nga katalanasit që për trajner kishin Johan Krujfin.
Përveç këtyre, në “Wembley” janë luajtur edhe finalet e vitit 1963 mes Milanin e Benfikës, që u fitua 2-1 nga italianët; më 1971 kur Ajaksi mundi 2-0 Panathinaikosin dhe më 1978 kur Liverpuli fitoi 1-0 ndaj belgëve të Bryzhit.

(ikub.al)

No comments:

Post a Comment