Të rinjtë shqiptarë në botë i shkruajnë ambasadorëve: Berisha po rrezikon demokracinë, na ndihmoni

Shumë të nderuar Ambasadorë dhe Përfaqësues te Institucioneve te Vendeve Perëndimore ne Shqipëri.

Ndodhemi sot përballë një situate të paprecedent ku fatet e demokracisë ne Shqipëri jane ne pikëpyetje. Të nisur nga kjo, ne një grup te rinjsh që studiojmë dhe punojmë rreth e rrotull globit, po ndërmarrim këtë iniciativë për të kërkuar nga JU që të na ndihmoni të dalim nga ky udhekryq ku ndodhemi.

Shqiptarët kanë qenë gjithmone të hapur ndaj të huajve, por sot më shumë se kurrë na nevojiten mesazhe me të qarta dhe me direkte nga JU. Mbi 1500 të rinj dhe të reja shqiptare e kanë përkrahur këtë nismë duke nënshkruar nje peticion online. Peticionin ne gjuhët Shqip, Anglisht, Gjermanisht dhe Italisht se bashku me listen e nënshkruesve mund ta gjeni në adresen: http://www.albanianyouthabroad.com/

Ju falenderojmë për kontributin tuaj të vazhdueshëm ne forcimin e demokracisë ne Shqipëri.

(GJENI ME POSHTE TEKSTIN E PLOTE TE PETICIONIT)

Iniciatorët e kësaj nisme,

Erald Vuçini, Austri

Fatjon Hoxhalli, Itali

Sokol Dhana, Itali

Blerina Kushta, Itali

Shqiptarët e duan demokracinë!

Po, ne e duam demokracinë, por kjo vazhdon të jetë vetëm një ndjenjë platonike, sepse gjithmonë është keqpërdorur nga ata që mendojnë se kanë të drejtë të shkatërrojnë ëndrrat dhe të ardhmen tonë. Gjatë historisë së Shqipërisë, shumë emra kanë qenë të lidhur me fatalitete të tilla. Sot, ky fatalitet po shkaktohet nga qeveria aktuale me Kryeminister Sali Berishën.

Pas më shumë se 20 vjet ne një tranzicion te tejzgjatur post-komunist, ne duam më shumë se një demokraci platonike. Por si mund të arrihet kjo, nëse hapi i parë drejt nje sistemi demokratik, procesi i votimit, është aq e paqartë dhe i diskutueshëm? Si mund ta arrijmë këtë, kur ligjet përdoren dhe përshtaten sipas nevojave te pushtetarëve? Ato madje shpesh shkelen pa më të voglin hezitim pikërisht nga ata persona që duhet ti mbrojnë e të jenë shembull i zbatimit te tyre.

Tre ditët e fundit pasqyruan një nga epiloget me te tmerrshëm te zgjedhjeve lokale në historinë e Shqipërisë. Qytetarëve ju ishte premtuar se një proces i rregullt zgjedhor do e çonte Shqiperinë drejt marrjes se statusit te kandidatit në BE. Por në vend të një hapi përpara, qytetarët përjetuan makthin më të keq. Dhe kjo jo për faj te tyre, por për faj të administarorëve të procesit zgjedhor, që favorizuan paturpësisht koalicionin qeverisës.

Joseph Marie de Maistre ka thënë që çdo vend ka qeverinë që meriton. Ne, përfaqësuesit e të rinjve shqiptarë në botë, besojmë se shqiptarët meritojnë më shumë. Jemi edukuar dhe formuar me fryme perëndimore dhe kemi dëshirë të sjellim përvojat dhe njohuritë e përfituara edhe në Shqipëri. Për momentin ne nuk shohim mundësi për të arritur këtë.

Ne jemi të bindur se diçka duhet të përmirësohet në Shqiperi, dhe si nje hap i parë drejt përmirësimit mendojmë se nevojiten mesazhe më konkrete nga diplomacia e huaj. Mesazhet e tanishme neutrale me të vërtetë qe mund të ndihmojnë në krijimin e një stabiliteti dhe qetesie të përkohshme. Por në të njëjtën kohë ato do të kontribuojnë edhe në konsolidimin e ketij sistemi të korruptuar dhe jo-demokratik në Shqipëri. Sot ne jemi dëshmitarë te efekteve afatgjata dhe shkatërruese te sistemeve të tilla në Lindjen e Mesme.

Është koha që të gjithë shqiptarët ti thonë “JO” sistemit te korruptuar qeveritar dhe zgjedhor. Është koha që diplomacia e huaj, e cila përpiqet për një Shqipëri më demokratike, te japë mesazhe të qarta. Ne duam qe diplomatët të veprojnë me të njëjtën përgjegjshmëri sikur këto padrejtësi të kishin ndodhur ne vendlindjet e tyre. Përndryshe, kemi frikë se situata e tanishme do të përfundojë në demonstrata mbarëkombëtare, të cilat mund të dalin jashtë kontrollit dhe madje edhe të degjenerojnë në një luftë civile.

Shqiptarët e duan demokracinë, por për këtë ne kemi nevojë për ndihmën tuaj!

(www.gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment