Të hidhet poshtë ideja për ndarjen e Kosovës

 
Zyrtarët e lartë serbë po e sabotojnë procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes deklaratave për mospërjashtimin e idesë për ndarjen e Kosovës- vlerësojnë analistët e çështjeve politike.

Një deklaratë e tillë, së fundmi erdhi nga ministri për Kosovë në qeverinë serbe, Goran Bogdanovic, dhe të ngjashme ka pasur edhe nga kryetari serb, Boris Tadic, nënkryetari i qeverisë serbe, Ivica Dacic, si dhe nga kryesuesi i ekipit serb në dialogun me Kosovën, Borko Stefanovic.

Politikologu Belul Beqaj, thotë se deklaratat e zyrtarëve serbë në favor të idesë për ndarjen e Kosovës janë në kundërshtim me filozofinë e Bashkimit Evropian. Ndërkaq, Ismajl Hasani, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se deklaratat e shtuara kohëve të fundit nga krerët institucionalë të Serbisë lidhur me idenë e ndarjes së Kosovës, janë vetëm sforcim i ideve, të cilat qarqet intelektuale në Serbi dëshirojnë t’ua imponojnë faktorëve ndërkombëtarë.

Ndryshe, të dy këta analistë të çështjeve politike vlerësojnë se institucionet e Kosovës duhet të jenë të vëmendshme ndaj deklaratave që vijnë nga zyrtarët e Beogradit. Beqaj shpreh mendimin se institucionet kosovare duhet të ndërmarrin veprime, me të cilat do t’ia bënin me dije Beogradit se nuk do të tolerojnë që të dilet jashtë parimeve, mbi të cilat ka filluar dialogu Kosovë - Serbi. Edhe profesor Hasani shpreh mendimin se pala kosovare duhet t’i intensifikojë veprimet e saj, përballë idesë, e cila po shpërfaqet nga deklaratat e zyrtarëve serbë.

Hasani thekson se delegacioni, i cili përfaqëson Kosovën në dialogun me Serbinë, duhet të fuqizohet dhe të përforcohet me ekspertë, të cilët sipas tij, duhet të jenë pjesë përbërëse e delegacionit. Siç thotë ai, pala kosovare duhet të tejkalojë retorikën dhe të ofrojë argumente që e hedhin poshtë idenë për ndarjen e Kosovës. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment