Sonila Kapidani: Vullneti për artin buron nga publiku.

Sonila Kapidani është padyshim emri dhe mbiemri që do të mbahen mend një kohë të gjatë nga adhuruesit e artit dhe kulturës.
Një artiste e mirëfilltë e kompletuar në plotëkuptimin e fjalës e cila përpos regjisë profesionale dhe shfaqeve të mira, publikut i ofron vlera dhe emocion artistik edhe me anë të tingujve të Pianos. Sonila me sinqeritet dhe modesti pranoi intervistën tonë duke shpalosur disa copëza jete nga karriera e saj e cila ndoshta e re në moshë por e bujshme dhe me plot aktivitete.

Na tregoni si ju lindi ideja të bëheni regjisore dhe pse pikërisht zgjodhët rrugën e mundimshme të artit?

Sonila: Rrugën e artit e kam zgjedhur e nxitur nga mamaja ime qysh në moshën 6-vjeçare kur konkurova për herë të parë në shkollën e muzikës për piano, e nuk e dija ende fjalën “e mundimshme”, por vetëm fjalën e “bukur”. Më pas udha është hapur gjithmonë me sukses drejt artit dhe mësimdhënies e unë jam gjendur duke ecur e sigurtë atje mes bukurisë së mundimshme.

Na flisni për karrierën tuaj , keni marrë pjesë diku edhe si aktore kurse regjinë e keni shumë profesionale, cilat janë pjesët që i keni vendosur në skenë dhe cilat janë sukseset që ju kanë prirë juve në regji?

Sonila: Unë kam këmbëngulur të kem një repertoar me vepra shqiptare në karrierën time e tani mund të them me një lloj krenarie se ia kam dal të numëroj disa të tilla që kanë komunikuar më së miri me publikun. “ Zi e më zi” sipas Kristo Floqit, “ Kujtime nga
çajupi” sipas A.Z.Cajupit, “ Banorët e shkallës 5” sipas Kin Dushit, “ Për Mua, Atë dhe të Tretin”, nga Haqif Mulliqi, etj, janë disa nga veprat që kam vënë në skenë gjatë këtyre 8 viteve. Jam e kënaqur t’i ofroj publikut shqiptar të gjejë kolorite nga jeta e vet kur vjen në teatër, problematika dhe rrethana që i përjeton dhe i mbeten në mendje edhe kur shfaqja ka mbaruar. Aktrimin e kam bërë si pjesë e eksplorimit. Kam marrë pjesë si aktore protagoniste në ‘ “Gjallë apo vdekur” nga Mulliqi me regji te M. Kutalit; ‘Këmbanat e muzgut” me regji të A. Bualjotit dhe A. Qesarit - rol i cili kishte rëndësi për mua sepse më bëri të ridal në skenë edhe si pianiste.
Në filma si “ Dhimbje dashurie” me regji të Ylli Pepos, apo “ Out of Touch” me regji të Andi Delianës. Është e rëndësishme për cdo regjisor të kalojë në rrugën e aktrimit.

 Jeni pedagoge në akademinë e arteve në Tiranë , na spjegoni pak si punohet atje , a jeni të kënaqur me kushtet dhe si është disponimi i studentëve atje?

Sonila Kapidani dhe Mirush Kabashi në skenë
Sonila : Unë jap metodikën e estetikës së të folurit. Metoda ime e punës është ndërveprimi. Profesori e udhëheq studentin për të nxjerrë në pah individualitetin e tij artistik dhe nxitur potencialin krijues. Kam ndërtuar marrdhënie të mrekullueshme me studentët. E zhvilloj mësimin edhe në studiot e Akademisë( njërën prej të cilave e kemi rikrijuar para disa vitesh me kursin e parë nëpërmjet orëve të mësimit) por edhe në natyrë.

Natyra është skena përfekte për nga ana ritmike dhe e frymëmarrjes. Është e rëndësishme të ndërthurrësh teorinë me praktikën, të ndjesh se gjatë orës së mëimit ka shumë dashuri për teatrin dhe përkushtim për të nxitur zhvillimin.

Ndërkaq përveç regjisë së teatrit , keni diplomuar edhe për Piano. Ku e gjeni gjithë këtë vullnet që ti shërbeni artit me besnikëri dhe Piano-ja ju sjell freskim apo inspirim?

Sonila: Vullneti për t’i shërbyer artit them se buron nga publiku. Atje është pikënisja e punës së artistit. Pjesa tjetër ka lidhje direkte me pianon. Duke qenë se jam rritur me disiplinën e artit, me përkushtimin ndaj tij, duke studiuar shumë orë ndërkohë që fëmijët e tjerë luanin, e duke dalë në koncerte për të ndjerë emocionin e duartrokitjeve që n moshë të vogël, them se vullneti është zhvilluar bashkë me mua. Pianoja është kontakti fillestar i imi me artin dhe është inspirim dhe rifreskim cdo herë që prek tastot e prej saj rrjedh një tingull.

Dikur keni bërë një regji edhe në Teatrin e Tetovës në Maqedoni , na tregoni si qëndron bashkëpunimi i njerëzve të artit flas në trekëndëshin Shqipëri ,Maqedoni , Kosovë si dhe në viset tjera ku ka shqiptar?

Sonila : Kam punuar për herë të parë në Teatrin e Tetovës me një vepër nga Marguerite Duras, “ La musica deuxieme”. Ka qenë befasi për mua dita e audicionit. Kolegu im Erald Bakalli më sugjeroi të shkonim atje, dhe them se ka qenë një ndër audicionet më të bukura që kam zhvilluar. Gjeta shumë dashuri për teatrin atje, energji të re krijuese.

Një trupë aktorësh të rinj, në sytë e të cilëve lexohej dëshira për shfaqje të mirë. Përputhur dhe me dëshirën time ka qenë një eksperiencë që nuk mbaroi me premierën. Pas kësaj, e sigurtë për rezultatin, ndërtova një bashkëpunim të ri : drama e H.Mulliqit, bëri bashkë Prishtinë, Tiranë , Tetovë dhe në të ardhmen do të ndërtohen projekte që do të çojnë akoma më tej këtë bashkëpunim.

Si funksionon arti dhe kultura në Shqipëri .Sa jeni të kënaqur me rrjedhat e atjeshme.Sa i jepet hapësire gjeneratës së re?

Sonila: Nuk mund të them që është fushë me lule. Ju vetë e thatë në fillim se arti ka rrugë të mundimshme. Hapsira nuk të jepet, ajo fitohet. Duke qenë se në vite ka patur erëra ndryshimesh, na ka takuar të punojmë shumë për ta bërë të funskionojë atë çfarë ka lënë e vjetra dhe atë që po sjell e reja. Arti ka shumë nevojë për strategji menaxhuese dhe drejtim të vëmendjes së biznesit. Kjo kërkon kohë dhe durim.

Në çfarë niveli qëndron kinematografia në hapësirat shqiptare sipas jush. Dikur në Shqipëri ka pasur filma të mirë ndërsa tash si qendronë çështja , a mendoni se ka mungesë filmash dhe serialesh të mirëfillta ?
Sonila: Ka patur një mungesë të gjatë, por këto dy vitet e fundit sikur po e merr veten edhe prodhimi i filmit. Shiko, do e them një shprehje që më pëlqen, por pak të tjetërsuar : “ Kur nevoja shfaqet, filmi bëhet”.

A keni marrë pjesë në ndonjë festival të teatrit apo regjisë dhe sa ndikojnë festivalet për një artiste në plotkuptimin e fjalës ?

Sonila : Po. Për mua takimet teatrore janë të rëndësishme. Aty përballen forma teatrore, rrihen mendime për teknikat e ndryshme të punës, krahasohen potenciale skenike, etj.

Është e domosdoshme për një artist pjesëmarrja në festivale brenda dhe jashtë vendit, të paktën dy herë në vit. Përveç tyre edhe pjesëmarja në konferenca europiane dhe workshope të ndryshme është e një rëndësie të veçantë. Një artist duhet të jetë gjithmonë në lëvizje për dimensione të reja.

Çka e karakterizon një regjisore të mirë. Cilat janë ato veti që e bëjnë një regji të jetë e mirë dhe e kapshme për publikun?


Sonila: Një regjisore të mirë e bën grupi i punës dhe publiku. Nëse puna shkon mirë, ka harmoni mes komponentëve e më pas publiku duartroket me sinqeritet dhe mban mend shfaqjen që ka parë dhe pasi kanë kaluar vite, atëherë them se regjia ka funksionuar.

Për mua është e rëndësishme që grupi i punës gjatë procesit të ndërtimit të shfaqjes, të ndjehet i sigurtë dhe të jetë i motivuar. Një aktor i Tetovës, Petrit Neziri, më ka thënë një fjalë që e kam në kujtesë “ procesin e punës me ty e mban mend trupi im”.

Cili është mesazhi juaj për lexuesit e gazetës online Yllpress. Com ?
Sonila: Ju falemnderoj juve që jepni mundësinë e komunikmit me lexuesit, si fillim.
Misteri i të kuptuarit të jetës që çdo njeri i kësaj toke i ka bërë të paktën një herë pyetje vetes, ndjehet dhe kuptohet në Teatër.
Zgjidhjet dhe dëshirat e thëna e të pathëna, realizohen në Teatër. Qëndroni, pra sa më pranë me duartrokitjet tuaja dhe ne (artistët) do të prezantojmë ekstremin e ndjenjës njerëzore në realitetin e së përditëshmes për të treguar atë që po ndodh në botë.

(yllpress.com)
  

No comments:

Post a Comment