Shtëpi me qira për plazh, tatimet do të vjelin taksa

Taksat dhe bashkia e qytetit nisin kontrollet për shtëpitë turistike që nuk paguajnë detyrime.
Të paktën 550 shtëpi e vila numërohen në qytetin e Sarandës, të përfshira në biznesin e turizmit. Njësitë akomoduese do ta kishin të pamundur të përballonin flukset turistike të çdo vere, në kushtet kur Saranda pret tani mesatarisht 550-600 mijë pushues në vit. Me këto flukse, Saranda e ka vendosur veten vitet e fundit në krye të “hierarkisë” së turizmit në shkallë vendi. Shtëpitë dhe vilat që destinohen për pushuesit, janë komplementare për të përballuar këtë fluks, por edhe për të ofruar nivele e standarde më "popullore" në pagesa dhe shërbimet turistike. Problemi është tek evazioni që sjellin pronarët e këtyre njësive akomoduese, që ndonëse marrin të ardhura prej tyre, nuk derdhin asnjë qindarkë në arkën e përbashkët të bashkisë.
Tatimet

Spiro Thomai, drejtor i Drejtorisë së Tatim-Taksave në Bashkinë e Sarandës, thotë se realisht ato nuk krahasohen me hotelet në nivelin e të ardhurave që sigurojnë, sikurse edhe në cilësinë e mjediseve që ofrojnë. Por sipas tatimeve, ka ardhur koha që në mënyrë të diferencuar apo edhe në mënyrë simbolike, edhe banesat e përfshira në turizmin familjar, të mos përjashtohen nga detyrimet financiare ndaj njësisë së qeverisjes vendore.

"Me gjithë përpjekjet tona për ta formalizuar edhe këtë aktivitet në fushën e shërbimeve turistike, nuk është arritur që të derdhet ndonjë detyrim sezonal apo vjetor dhe kjo nuk mund të tolerohet më gjatë", shprehet Thomari.

Për t’i dhënë fund kësaj praktike dhe dukurie të evazionit fiskal, në nisje të këtij sezoni të ri turistik, ka nisur një inspektim për identifikimin e të gjitha banesave që u jepen plazhistëve me qira në sezonin e verës. Qëllimi është që edhe këto banesa t’i shtohen bazës së taksueshme, sikurse bëhet me 120 hotelet e Sarandës, që thuhet se janë tatimpagues të rregullt. Për bashkiakët e Sarandës, banesat dhe vilat e turizmit familjar, vijnë duke u shtuar si në pikëpamje numerike, ashtu edhe në shtimin e shtretërve, dhe nuk ka më arsye të vazhdojë të mbetet biznes informal.
Qeverisja vendore

Pushteti vendor, deri tani ka qëndruar në “pritje” deri në një udhëzim për të vjelë detyrimet e parashikuara nga ky lloj biznesi, që sjell fitime jo të pakta. Duke i dhënë fund kësaj pritshmërie, nisur edhe nga shtimi i dukshëm këtë vit të shtëpive për pushues, ka nisur regjistrimi lagje për lagje, deri dhe për çdo garsonierë që përfshihet në turizmin familjar, duke u dhënë me qira në muajt të verës.

Saranda ka kapacitete të konsiderueshme akomoduese, që janë të preferuara nga pushuesit, pasi kushtojnë disi më pak se akomodimi në hotel, por fare pak prej këtyre burimeve fitimprurëse, rezultojnë si taksapagues në bashki.
(gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment