Shqipëria i paguan 8.5 milionë USD Serbisë

TIRANE-Qeveria shqiptare do të fillojë së shpejti të paguajë një borxh të negociuar me Serbinë, sipas së cilës, vendi ynë i detyrohet Beogradit një shumë prej 8.5 milionë dollarësh amerikanë. Borxhi ka të bëjë me detyrime financiare, të krijuara si pasojë e marrëdhënieve tregtare midis Shqipërisë dhe ish-Federatës Socialiste Jugosllave. Marrëveshje riskedulimi të këtij borxhi vendi ynë tashmë ka bërë me të gjithë subjektet shtetërore, që kanë dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë, pas vitit 1990. Dje, kjo marrëveshje është paraqitur në parlamentin e Serbisë, ku, sipas agjencisë serbe të lajmeve TANJUG, qeveritarët deklaruan se është në interes të këtij vendi që të miratohet një ligj përkatës, që do të detyronte Tiranën të fillonte shpejt pagesat e para. Sipas praktikës ligjore ndërkombëtare, një akt i tillë duhet të ratifikohet nga parlamenti, që të hyjë në fuqi.
Termat
Sipas termave të kësaj marrëveshjeje, të dy palët kanë bërë llogaritjet përkatëse, të principalit e interesit të borxhit, duke e aktualizuar edhe vlerën e valutës në kohën aktuale. Si pasojë, është fiksuar vlera e përgjithshme prej 8.5 milionë dollarësh amerikanë, e cila parashikohet të paguhet në një periudhë pesëvjeçare. Pagesat do të bëhen dy herë në vit, më 31 mars dhe më 30 shtator, duke filluar nga shtatori i ardhshëm. Çdo vonesë do të sillte një kamatë të caktuar për Shqipërinë.
Borxhi
Sipas statistikave më të fundit, të publikuara nga Ministria e Financave, gjatë vitit të kaluar shqiptarët kanë paguar 344 milionë euro për shërbimin ndaj borxheve të marra. Me-gjithëse gjatë vitit 2010 u vu re një ulje e normave të interesit të huamarrjes së brendshme në përgjithësi, shtimi i peshës së instrumenteve afatgjatë, si dhe normat më të larta që u vunë re në vitin 2009 e, veçanërisht në pjesën e dytë të vitit 2008, bënë që shpenzimet për interesat e brendshme në vitin 2010 të ishin rreth 13.3% më të larta se në vitin 2009, thuhet në raportin e Drejtorisë së Borxhit pranë këtij dikasteri. Edhe shpenzimet për interesat e borxhit të jashtëm kanë pasur rritje në masën 23%, si rezultat i uljes së nivelit të koncesionalitetit të borxhit. Raporti i shpenzimeve për interesa me PBB-në, nga 3.17% e PBB-së në vitin 2009, arriti në 3.4% në fund të vitit 2010. Në fund të vitit 2010, stoku i borxhit publik arriti në 715.5 miliardë lekë ose 58.52% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky stok përbëhet nga borxhi i qeverise qendrore - 58.51% të PBB-së dhe borxhi i pushtetit vendor - 0.01% të PBB-së. Borxhi i qeverisë qendrore përbëhet nga borxhi i brendshëm, që, në fund të vitit 2010, ze rreth 57% të stokut dhe borxhi i jashtëm, me 43% të stokut. Kështu, edhe gjatë vitit 2010 ndryshimi i strukturës borxh i brendshëm/borxh i jashtëm ka vazhduar në favor të këtij të fundit. Në fund të vitit 2009 ky raport ishte 60.8% borxh i brendshëm dhe 39.2% borxh i jashtëm.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment