Shqipëri, 70 për qind e mbeturinave digjen

Edhe pse ndodhemi në vitin 2011, në epokën e internetit, në vendin tonë mbeturinat nuk grumbullohen, ndahen dhe riciklohen. Mbi 70 për qind e mbeturinave digjen. Të dhënat jepen nga shoqata e ricikluesve, të cilët morën pjesë dje në një takim organizuar nga të rinjtë e qendrës mjedisore për mbrojtje, edukim dhe rehabilitim. Sipas kreut të ricikluesve, kjo strukturë ka kërkuar dhe kërkon nga pushteti vendor të bashkëpunojë për grumbullimin e atyre mbetjeve që mund të riciklohen për të mos i djegur, si dhe për të përfshirë edhe Shqipërinë në sferën ekologjike, bashkëkohore. Në këtë mënyrë ndihmohet edhe popullata për të qenë të shëndetshëm, ruhet mjedisi, e për rrjedhojë të gjithë së bashku, biznesi, ricikluesit, pushteti vendor dhe popullata bashkëpunojnë për të ruajtur ambientin, shëndetin edhe për të shtuar përqindjen e mbetjeve që i nënshtrohen riciklimit dhe nuk përfshihen në procesin e djegies.

Bardhyl Balteza, kreu i shoqatës së ricikluesve ka sqaruar dje se kërkesa që i ka drejtuar shoqata pushtetit vendor është lidhur me grumbullimin e mbeturinave që kanë mundësi të riciklohen.

Nga ana tjetër, në takim zëvendësministri i Mjedisit dhe Administrimit të Ujërave, Taulant Bino, ka sqaruar se është bërë një punë në fushën e legjislacionit, megjithatë mbetet për t’u bërë ende si dhe për të përmirësuar. Mjafton të shohim grumbullimet e mbetjeve dhe situata të tjera të pakëndshme, jo vetëm në qytete e komuna, por edhe në vende turistike, plazhe për të kuptuar se strategjitë dhe legjislacioni kanë nevojë për përmirësim të mëtejshëm.

Sakaq, projekti, pjesëmarrja rinore te biznesi i riciklimit ka pasur si qëllimin inkurajimin e iniciativave rinore te biznesi i riciklimit të mbetjeve nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes së tyre.

Kështu, janë trajnuar 30 të rinj në fushën e mbetjeve dhe riciklimit, ata u formuan dhe përgatitën për të qenë të gatshëm për t’u përfshirë në biznes. Këta të rinj u përfshinë në tregun kombëtar të punës, në fabrikat e riciklimit, zhvillimit të iniciativave rinore në këtë fushë si dhe aktivitete nga ana e të rinjve për të qenë kontribuues të zhvillimit të sektorit të riciklimit të mbetjeve.

Ajo që mund të bëjmë të gjithë si qytetarë për të qenë sadopak riciklues lidhet me: grumbullimin e diferencuar, që është mënyra më e mirë për të ruajtur dhe mirëmbajtur burimet natyrore. Ripërdorimi i mbeturinave, nga letra te plastika, kontribuon në ruajtjen e ambientit.
(gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment