Shkëmbimi i territoreve - ideja më e mirë

Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë se angazhohet hapur për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.
Në një prononcim për Deutsche Welle në gjuhën serbe ai ka thënë se e ka pritur me gëzim idenë e shefit të socialistëve dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic për ndarjen e Kosovës dhe përcaktimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës.

“Në qoftë se Dacici do të jetë qind për qind pragmatik, atëherë duhet të jetë i gatshëm edhe për ndarjen e Serbisë, në mënyrë që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci të bashkohen me Kosovën, ndërsa veriu i Kosovës të bashkohet me Serbinë”, ka thënë Mustafa.

Kreu i PDSH-së është i mendimit se pikërisht shkëmbimi i territoreve është zgjidhja më e mirë për përfundimin e tensioneve në Ballkan.

“Kjo është absolutisht zgjidhja më e mirë, në qoftë se duam zgjidhjen e problemeve mes shqiptarëve dhe serbëve. Vetëm në këtë mënyrë Prishtina dhe Beogradi mund të vendosin raporte të përhershme të mira fqinjësore. Kështu do të dëshmonin para botës se janë të gatshëm të bëjnë këtë hap precedent”, ka thënë Mustafa, i cili aktualisht është kryetar i Komunës së Preshevës.

(telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment