SHBA: Stop retorikës politike

 
Shtetet e Bashkuara kërkuan nga politikanët shqiptarë ndaljen e retorikës dhe nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve funksionim transparent në përputhje me ligjin.

Qëndrimi është bërë i ditur në një deklaratë të nxjerrë nga ndihmës-sekretari i Shtetit, Philip Gordon.

Në deklaratën e tij ai thekson se, Shtetet e Bashkuara e kanë ndjekur nga afër situatën në Shqipëri që nga zgjedhjet e 8 majit.

Gordon nënvizon se dhuna dhe retorika që kërcënon për dhunë ose nënkupton akte dhune nuk është me vend dhe përbën kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë.

Ndihmës-sekretari Gordon thekson rëndësinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kryejë funksionin e tij në mënyrë konsistente dhe transparente, në përputhje të plotë me ligjin, për të krijuar besim tek popullata dhe për të garantuar integritetin e mandatit të këtij institucioni.

“Politikanët shqiptarë duhet të përqendrohen në shkëmbime konstruktive, në vepra që i shërbejnë një vendi me një të ardhme në Bashkimin Evropian dhe jo tek retorika apo veprimet negative, që vetëm e denigrojnë këtë proces”, shkruan më tej Gordon në letrën e tij.

Zoti Gordon shprehet se populli shqiptar meriton një demokraci të qëndrueshme dhe të begatë, bazuar në vlerat universale dhe shtetin ligjor.

(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment