Serbi dënohet me katër vjet burg

 
Bojan Vuloviq është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim nën akuzën e shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore dhe lëndimeve të lehta trupore, të kryera në Leshak të komunës së Leposaviqit, më 21 shkurt 2010.

Vendimi është marrë të enjten nga një trup gjykues i përbërë prej gjykatësve të EULEX-it, nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë.

Gjykatësit e EULEX-it gjithashtu urdhëruan të pandehurin që viktimës me lëndime të rënda trupore t’i paguajë një kompensim prej 20,000 eurosh dhe viktimës me lëndime të lehta trupore 4000 euro.

I pandehuri gjithashtu është urdhëruar që të ndalet në paraburgim deri në marrjen e vendimit të formës së prerë.

Prokurori i EULEX-it në seancën kryesore të gjykimit, më 12 maj, gjithashtu parashtroi një padi tjetër kundër Bojan Vuloviqit, për një rast tjetër. Padia është parashtruar për veprat penale të tentim vrasjes, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe posedimit të paautorizuar të armëve, të kryera në Leposaviq gjatë gushtit dhe dhjetorit të vitit 2008. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment