Sanino takon Topin: Vullneti i forcave politike, me rëndësi për integrimin.

Situata e tensionuar paszgjedhore ka sjellë në Tiranë zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino, i cili ka zhvilluar sot një takim me kreun e shtetit Bamir Topi. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i BE, Etore Sequi.
Sipas njoftimit zyrtar të institucionit të presidencës, gjatë takimit Sanino e siguroi presidentin Topi për gatishmërinë e bashkësisë ndërkombëtare për të vijuar ndihmesën në funksion të arritjes së standardeve demokratike, konsolidimit të institucioneve të pavarura demokratike e kushtetuese dhe përmbushjes së aspiratave integruese të Shqipërisë.


Gjithashtu, në njoftim thuhet se të dy bashkëbiseduesit nënvizuan faktin se vullneti i forcave politike në Shqipëri është me mjaft rëndësi për përparimin e integrimit të vendit drejt strukturave të Bashkimit Evropian dhe plotësimin e rekomandimeve të Këshillit të Evropës si dhe detyrimeve të tjera që nevojiten për anëtarësimin në familjen evropiane.
Më tej, gjatë ditës, zyrtari i lartë evropian do të ketë takime edhe me krerë të tjerë të lartë të vendit.


Vizita e Saninos i paraprin asaj të dy zyrtarëve të tjerë të lartë të BE-së, presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, dhe Komisionerit Evropian për Zgjerimin, Stefan Fule, të cilët do të mbërrijnë në Shqipëri të premten.

Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso do të vizitojë Shqiperinë, Kosovën dhe Serbinë, në datat 19-20 maj. Vizita dy-ditore është pjesë e dytë e turneut nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, që Barroso nisi me një vizitë në Bosnje, Kroaci, Mal të Zi dhe Maqedoni në fillim të muajit prill. Barroso do të shoqërohet nga Komisioneri për Zgjerim Stefan Fule.


Qëllimi kryesor i vizitës së përbashkët do të jetë "për të theksuar mbështetjen e Komisionit për perspektivën evropiane" të Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë, ka bërë të ditur një zëdhënëse e Komisionit Europian. Zëdhënësja tha se Barroso dhe Fule do të përpiqen "për të inkurajuar" këto vende të përshpejtojnë përpjekjet për të zbatuar "reformat e nevojshme", të cilat janë të domosdoshme për përparimin në rrugën drejt BE-së.


Gjatë vizitës në Shqipëri, Barroso dhe Fule pritet të adresojnë nevojën për reforma të mëtejshme për procesin e integrimit në BE, si dhe çështjen e abuzimeve të sistemit pa viza nga qytetarët shqiptarë. Vizita në Tiranë do të zhvillohet me 20 maj. Pritet që gjatë takimeve me liderët e vendit temë e diskutimeve të jenë dhe zgjedhjet e 8 majit.


Në ditën e parë, Barroso dhe Fule do të vizitojnë Beogradin. Ata pritet të diskutojnë tre çështje kryesore në takimet e tyre me udhëheqësit e Serbisë: progresin drejtë BE-së, dialogun Beograd-Prishtinë dhe pezullimin e mundshëm të regjimit të liberalizimit të vizave për Serbinë për shkak të abuzimeve masive të qytetarët serbë në vendet e BE-së ku kanë udhëtuar.


Në Prishtinë, të dy zyrtarë të lartë pritet të inkurajojnë autoritetet e Kosovës për të forcuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ata do të diskutojnë gjithashtu mbi vazhdimin e bisedimeve Beograd-Prishtinë si dhe do të diskutohet dhe çështja e lëvizjes së qytetarëve.

(shekulli.com.al)

No comments:

Post a Comment