Sançez-Roben-Tevez merkato e “çmendur” e Interit

 
Mendja e Interit është te Kupa e Italisë, por trajneri Leonardo ka kërkuar nga skuadra edhe një sforco të fundit për ta mbyllur sa më mirë këtë sezon të Serisë A. Zikaltërit kanë kaluar një vit në tranzicion, pas fitimit të Ligës së Kampioneve një vit më parë, ndërkohë që presidenti Morati e ka kuptuar se ekipi ka nevojë për ndërhyrje në merkaton e verës. Nesër, luhet sfida me Katanian, e fundit për këtë kampionat, ndërkohë që në javën e ardhshme është finalja e Kupës së Italisë, i vetmi trofe që mund të fitohet nga Interi. “Kjo skuadër meriton një mbyllje të bukur të kampionatit, - deklaroi Leonardo në konferencën e sotme për shtypin. – Pas një jave kemi finalen e Kupës së Italisë dhe synojmë ta mbyllim sezonin me një trofe. Por, të mbetemi të përqendruar te Katania, që duhet përballur në mënyrën më të mirë, sepse kampionati meriton një ndeshje të madhe në fund. Paraqitjet e mira çojnë gjithnjë në pasoja të mira, sepse do të kemi mundësi të shohim ekipin për ndeshjen finale me Palermon”, shtoi trajneri brazilian i Interit.
Katania
Por, ndeshja me Katanian nuk vjen në momentin më të mirë të Interit, pasi lista e dëmtimeve është e gjatë. Estebian Kambiaso ka qenë i fundit që ka përfunduar në infermieri, ndërsa Maikon nuk është grumbulluar pasi është i skualifikuar për finalen e Kupës së Italisë. “Kambiaso ka patur një problem muskular, ndërsa portieri Zhulio Sezar ka patur prej tre ditësh një problem në shpinë dhe nuk ka mundësi për të luajtur. Probleme ka edhe Shnajder që nuk është rikuperuar plotësisht”, sqaroi Leonardo përpara takimit të së shtunës. Ndaj Katanias Samuel Eto pritet të arrijë numrin 100 të ndeshjeve me fanelën e Interit. “Nëse shohim atë që ka bërë në vitet e fundit, përfshirë këtë aktualin, nuk mund të thuash veçse Eto është një nga lojtarët më të mirë në botë, - thotë Leonardo për kamerunasin. – Ky sezon ka qenë i jashtëzakonshëm për të, për numrin e golave të shënuar, por edhe për faktin që ka luajtur në pozicione të ndryshme”.
Merkato
Në kampin e Interit, një temë dite është edhe ajo e merkatos. Aleksis Sançez duket i pari që do të veshë fanelën zikaltër, ndërkohë që në qarkullim janë edhe emrat e Arjen Roben e të Karlos Tevez. “Janë futbollistë të ndryshëm nga njëri-tjetri, por luajnë në sulm dhe mund ta bëjnë kudo, - sqaroi Leonardo. – Roben është një realitet, Tevez gjithashtu, ndërsa Sançez duket i gatshëm për të bërë hopin cilësor. Perspektivat e tyre janë të jashtëzakonshme. Jemi duke folur për lojtarë që sot hyjnë në listën e më të mëdhenjve”, shtoi braziliani. Me marrjen e tyre Interi do të kthehej në një superfuqi në Itali, por Leonardo shprehet: “Unë jam trajner dhe ndjehem në sintoni me Brankën dhe presidentin Morati, që më pas bën edhe zgjedhjet”.
(BalkanWeb.com)

No comments:

Post a Comment