Saif al Adel, kreu i përkohshëm i Al Kaedës

 
Është egjiptiani Saif al Adel, një ish-oficer i forcave speicale dhe i njohur ndryshe si Muhamad Ibrahim Makkaëi, pasardhësi i Osama bin Laden në krye të Al Kaedës.

Lajmin e bën të ditur CNN, që citon Noman Benotman, një shtetas libik, dikur në kontakt me organizatën terroriste.

Benotman ka deklaruar për CNN se, në bazë të kontakteve të tij personale Al Adel është zgjedhur si kreu i përkohshëm i Al Kaedës, ose si ushtrues i funksioneve të organizatës.

Vendimi nuk është marrë në mënyrë formale nga këshilli i Al Kaedës, sepse për momentin anëtarët e saj e kanë të pamundur mbajtjen e një mbledhjeje kolektive.

Zgjedhja e tij është bërë nga gjashtë ose tetë liderë të organizatës, që jetojnë në zonën kufitare mes Afganistanit dhe Pakistanit, një prej të cilëve është vetë Al Adel.

Sipas burimit të cituar nga CNN, zgjedhja e një egjiptiani mund të mos mirëpritet nga anëtarët sauditë dhe jemenas të Al Kaedës, të cilët kërkojnë që pasardhësi i Bin Laden të jetë nga Gadishulli Arabik.

Al Adel ka luftuar në Afganistan në vitet ’80 kundër trupave të Bashkimit Sovietik. Pas rënies së talebanëve në dimër të vitit 2001 është arratisur në Iran, por informacionet e shërbimeve sekrete tregojnë se aktualisht ai ndodhet në Pakistan.

(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment