Rrugët, mirëmbajtja me koncesion.

Në dijeni se të ardhurat e buxhetit nuk janë aty ku duhet, qeveria po bën një plan të ri për shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e privatizimeve.Duket se dje qeveria dhe Banka e Shqipërisë ishin në sinkron, kur treguan shqetësimin e tyre për të ardhurat. Vetëm me një ndryshim, që Berisha në qeveri foli përpara se Fullani të jepte alarmin e uljes së të ardhurave. Pak rëndësi ka rendi i ngritjes së problematikës. E rëndësishme për të gjithë shqiptarët është plani i ri i qeverisë për dhënien me koncesion të mirëmbajtjes së rrugëve. E para në listë është rruga Durrës-Kukës. “Zoti ministër i Punëve publike, në 4-vjeçarin që shkoi u ndërtua vepra më e madhe publike në historinë e këtij vendi. Ne e ndërtuam atë, por atë e ndërtoi Bechtel, Enka. Ky vend nuk ka kapacitete publike për mirëmbajtjen e tij. Unë e di se ju keni kontraktuar dhe Ministria juaj po punoj me IFC, për ta dhënë për menaxhim sa më shpejt.” Kështu iu drejtua dje Berisha Olldashit në mbledhje qeverie, duke qartësuar debatin për dhënien me koncesion të rrugëve. Në fakt, kjo kërkesë i është bërë disa herë qeverisë nga konsulentët e huaj, të cilët kanë treguar me shifra që mirëmbajtja nuk mund të përballohet nga fondet e buxhetit. Por, nuk do të mjaftojë vetëm me Durrës-Kukës. “Sapo të përfundojë segmenti Shkëmbi i Kavajës – Rrogozhinë, atëherë dhe autostrada Tiranë – Fier, Tiranë – Durrës, të shqyrtohet, të jepet për menaxhim. Këto janë vepra të mëdha. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk disponon kapacitetet njerëzore dhe materiale për mirëmbajtjen e tyre. Mirëmbajtja e tyre është një proces shumë i ndërlikuar. Vende të tjera të mëdha, ndër më të mëdhatë e Europës, nuk marrin përsipër mirëmbajtjen, por ia japin kompanive të mëdha për t’i mirëmbajtur.” Por çfarë do të thotë koncesion për xhepat e shqiptarëve? Do të thotë që të paguajmë para për kalimin e rrugës. Ka disa mënyrë për këtë pagesë. Njëra është vendosja e taksës në hyrje të rrugës. Kuptohet që taksa është e vogël dhe shërben vetëm për mirëmbajtjen. Mënyra tjetër është vendosja e taksës në kohën e pagesës së detyrimeve për automjetet. Pra, një taksë tjetër për mirëmbajtjen e rrugëve, në momentin kur kryhet kolaudimi vjetor i makinës. Kjo taksë shkon në duart e privatit, i cili duhet të mirëmbajë rrugën. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt. Mirëmbajtja e rrugëve është e shtrenjtë dhe këtë shtrenjtësi do e paguajnë ata që kanë makina. Kjo, në fakt është një kërkesë e hershme e konsulentëve të qeverisë. Pritet që eksperimenti të fillojë me Durrës-Kukës dhe më pas me autostradat e tjera.

Privatizim për gjithçka

Një tjetër plan i qeverisë për të rritur të ardhurat është privatizimi. Berisha theksoi dje në mbledhje të qeverisë se do shitet gjithçka. “Shqipëria do të ketë si pronë publike digat e mëdha, shkollat, spitalet, parqet kombëtare, tokat pa pronar, të cilat janë publike, të tjerat do të jenë tërësisht në zotërimin, administrimin, menaxhimin e sektorit privat.” Kreu i qeverisë iu rikthye privatizimeve tashmë të shpallura. “Ajo çfarë ka mbetur në aksionet apo dhe asetet e ndërmarrjeve të mëdha, tashmë të privatizuara, duhet të shitet. Dhe INSIG, i cili për shkak të furtunës financiare botërore pati problematikën e vet herën e parë, por prapë duke pasur parasysh shëndetin e kësaj sipërmarrjeje, mendoj se duhet të shqyrtohen termat dhe të përshtaten me situatën e realitetit dhe të procedohet me privatizimin e tij.”

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment