“Rruga e sigurt” kap korrierin me gjysmë kile heroinë

ELBASAN- Transportonte drogë nga Maqedonia për në Tiranë, kapet korrieri me 500 gr heroinë.
Seksioni kundër narkotikëve, në drejtorinë e policisë së qarkut Elbasan, arrestoi në flagrancë Alfred Cohën, 23 vjeç, me banim në fshatin Gurishtë të Elbasanit pasi gjatë kontrollit fizik iu gjend 500 gr lëndë narkotike e llojit heroinë. Aksioni i koduar “Rruga e Sigurt” u realizua në orën 20:00 të një nate më parë në Prrenjas, brenda në një lokal. Sipas të dhënave të para hetimore, Alfred Coha e kishte siguruar lëndën narkotike në shtetin fqinj Maqedoni dhe kishte për destinacion kryeqytetin, Tiranën.

Hetimi

Pas marrjes së mallit, ai ka kaluar ilegalisht kufirin dhe pasi ka përshkruar disa kilometra në këmbë, ka ndaluar në një lokal në qytetin e Prrenjasit. Por ndërkohë, burime hetimore pohuan se kishin kohë që survejonin aktivitetin e të riut nga fshatrat e Elbasanit, i cili luante rolin e korrierit të drogës, por duke transportuar sasi të vogla të saj, në intenerarin Maqedoni-Tiranë. Dje, agjentët kanë investiguar lëvizjet e tij duke e ndjekur në distancë. Kur ai është futur në një lokal në Prrenjas, ata kanë hyrë menjëherë, duke neutralizuar veprimet e mëtejshme të trafikantit. Nga kontrolli fizik i ushtruar, i është gjendur 500 gr heroinë e paketuar. Policia po heton burimin nga ku furnizohej 23-vjeçari dhe për këtë qëllim ka vendosur kontakte edhe me vendin fqinj. Në të njëjtën kohë, grupi hetimor po studion edhe destinacionin e drogës dhe se cilët ishin blerësit dhe përdoruesit e saj në kryeqytet. Elbasani njihet si vend tranzit i trafikut të drogave, për shkak të korridorit Lindje-Perëndim. Edhe herë të tjera në këtë aks rrugor janë kapur sasi dhe lloje të ndryshme drogash, me destinacion Tiranën, Durrësin dhe Italinë. Ndaj autorit është ngritur akuza e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Precedenti

Gjatë muajit prill në Durrës, gjatë një kontrolli në pjesën e pasme të mjetit, me targa FR 8462 C, është vënë në pranga shtetasi Ilirjan Hoxhaj nga Fieri, pasi iu gjet 1 kg heroinë. Makina tip Benz Mercedes është ndalur sapo kalon Plepat e Durrësit në drejtim të rrugës së Plazhit. Pikërisht në këtë vend, policia ka ngritur një postbllok kryesisht për të mbikëqyrë trafikun në segmentin Plepa-ura e Dajlanit dhe ka qenë ky postbllok me efektiva të seksionit të trafikut rrugor dhe agjentë të sektorëve të tjerë, që ka ndaluar mjetin. Në makinë me targa të Fierit dhe që thuhet se është pronë e të arrestuarit Ilirjan Sali Hoxhaj ka qenë vetëm 40-vjeçari fierak, i cili e ka pasur të pamundur të shmangë kontrollin fizik të mjetit. Policia ka ushtruar kontroll të përgjithshëm dhe në kohën që ka ngritur sediljet e pasme ka parë se nën to ishin dy pako, të cilat më pas rezultuan se ishin të mbushura me drogë.
(mapo.al)

No comments:

Post a Comment