Romë: Italia vazhdon ta mbështes Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetarët e Kuvendit, Xhavit Haliti e Glauk Konjufca, ambasadori i Republikës së Kosovës në Romë, Albert Prenkaj, dhe nga këshilltarët Bilall Sherifi e Skender Reçica, ka filluar sot vizitën zyrtare në Itali.
Në ditën e parë të saj, kryetari Krasniqi dhe delegacioni që e shoqëronte, u prit në një takim të ngrohtë dhe shumë miqësor nga kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, z. Gianfranco Fini. Në këtë takim, kryetari Krasniqi e falënderoi z. Fini për pritjen miqësore dhe për kontributin që Italia ka dhënë për Kosovën që nga angazhimet e saj në forcat ndërhyrëse të NATO-s, në misionet e KFOR-it e të EULEX-it, njohjen e hershme të pavarësisë së Kosovës, duke konstatuar kështu marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si të shumë të mira dhe të shkëlqyeshme.
Në vazhdim, z. Krasniqi e njoftoi mikpritësin për zhvillimet aktuale në Kosovë, për zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, për zgjedhjen e presidentit e të qeverisë, konsolidimin dhe funksionalizimin e institucioneve demokratike dhe integrimin e komuniteteve. Një theks të veçantë, Krasniqi e vuri te problemet në veri të Kosovës, si pasojë e obstruksioneve të Beogradit. Rreth kësaj çështjeje, ai foli edhe për rolin e ambasadorit Giffoni, si përfaqësues evropian, i cili me angazhimin e tij është duke ndikuar në uljen e tensioneve në këtë pjesë të Kosovës.
Në vazhdim të takimit, kryetari Krasniqi foli për fqinjësinë e mirë me shtetet kufitare, përveç me Serbinë, e cila, sipas tij, ende nuk është e gatshme që të vendos marrëdhënie me Kosovën. Ai foli edhe për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Nga homologu i tij italian, kryetari i Kuvendit të Kosovës kërkoi ndihmë për njohjen e gjerë ndërkombëtare që i duhet Kosovës, sidomos në vendet ku Italia ka ndikim, dhe paraqiti pengesën që i vjen Kosovës nga mosnjohja prej të gjitha vendeve të BE-së. Krasniqi, gjithashtu, kërkoi nga shteti italian që të ushtrojë ndikimin e tij në trajtimin e Kosovës njësoj sikurse shtetet e tjera të rajonit në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në takimet rajonale e ndërkombëtare. Kërkoi mbështetje edhe në procesin e integrimit evropian, krijimin e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në Unionin Ndërparlamentar, si dhe rikthimin e marrëveshjes për masat preferenciale tregtare.
Nevojë tjetër që paraqiti në këtë takim kryetari Krasniqi, ishte edhe procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Italisë, kreu legjislativit në mënyrë të veçantë foli për bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve. Me qëllim të harmonizimit të legjislacionit të Kosovës me standardet evropiane, ai shprehu nevojën për shpeshtimin e kontakteve dhe thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve, nëpërmjet të shkëmbimit të vizitave nga ana e komisioneve parlamentare dhe të administratës, nënshkrimit të një memorandumi ndërmjet të dy sekretarëve të parlamentareve për bashkëpunim administrativ etj.
Të dy kryetarët ranë dakord për formimin e grupeve parlamentare të miqësisë në të dy parlamentet dhe u dakorduan që rreth kësaj të fillojnë menjëherë procedurat.
Një tjetër çështje që z. Krasniqi ngriti në këtë takim, ishte edhe nevoja për shtimin e investimeve italiane në Kosovë, ku dita-ditës po krijohen kushte të favorshme për investime të huaja. U shtrua nevoja, gjithashtu, edhe për nënshkrimin e një sërë marrëveshjeve dypalëshe.
Në takim kryetari Krasniqi foli edhe për raportin e Dik Martit dhe për dëmet që ai i ka shkaktuar ai Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai sqaroi pastërtinë e luftës çlirimtare në Kosovë dhe të pavërtetat e cekura në këtë raport, duke shprehur, njëkohësisht, gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për një hetim të mirëfilltë rreth çështjeve të ngritura në këtë raport, në mënyrë që kjo çështje të mbyllet sa më parë që është e mundur.
Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, z. Gianfranco Fini, pasi i uroi mirëseardhje kryetarit Krasniqi dhe delegacionit që e shoqëronte, theksoi se në parlamentin italian ka pasur gjithmonë përkrahje për Kosovën. “Ne e kemi kontribuar në NATO dhe e kemi njohur Kosovën me një përkrahje shumë të gjerë në parlament”, theksoi Fini. Ai vlerësoi se kjo vizitë është shumë e qëlluar dhe do t’i kontribuojë thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve dhe vendeve tona. Gianfranco Fini theksoi se parlamenti i Italisë i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit të Kosovës me vendet e rajonit dhe në këtë rrafsh, ai vlerësoi rëndësinë e dialogut me Serbinë.
Duke folur për situatën që Kosova ka kaluar në gjashtëmujorin e fundit, ai theksoi se për Kosovën dhe institucionet e saj reformat janë më se të nevojshme, të cilat do të ndihmojnë në procesin e integrimeve evropiane.
Z. Fini, gjithashtu i interesua edhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Përveç pjesës zyrtare, pjesa tjetër e takimit u zhvillua në një drekë pune, gjatë të cilës u ngritën çështje të ndryshme.
Me qëllim të njohjes nga afër me zhvillimet dhe të arriturat në Kosovës, kryetari Krasniqi e ftoi z. Fini për një vizitë zyrtare në Kosovë, të cilën ai e pranoi kënaqësi dhe shprehu gatishmërinë që këtë ta realizojë në një kohë të përshtatshme për të.
Në vazhdim të vizitës në Itali, delegacioni i Kuvendit të Kosovës do të ketë takime me autoritete të tjera italiane.

(rtv21.tv)

No comments:

Post a Comment