Revolucioni i minifundit


Minifundi, historia e veshjes së adoleshenteve që ndryshoi botën. Konsiderohet si fillimi i një rebelimi kulturor mes brezave.

Ishte 30 tetor i vitit 1965, kur në Melburn, Australi, modelja e famshme Jean Shrimpton shkoi në hipodromin Flemington Racecourse me rastin e “Victoria Derby”. Kishte veshur një fustan të shkurtër, që i linte zbuluar këmbët për disa dhjetëra centimetra dhe një orë burrash. Përveç kësaj, nuk kishte veshur çorape, as dorashka, as kapele (tre aksesorë të konsideruar detyrim për zonjat tradicionale). Komuniteti australian u skandalizua dhe u indinjua: fishkëllima admirimi nga ana e burrave dhe bërtitje nga gratë në shenjë mosaprovimi. Episodi, që u bë i famshëm si “The Miniskirt Affair” (“Çështja e minifundit”), u pasqyrua nga gazetat dhe televizionet e së gjithë botës. Imazhi i modeles së rrethuar nga gra më të moshuara, që e shihnin me përçmim, vinte në pah kontrastin mes modës së vjetër dhe asaj të re. Mini u bë menjëherë simbol i prishjes së një brezi dhe lirisë së re të grave që fituan pas luftës. Ishte fillimi i një revolucioni kulturor, që e arriti kulmin në lëvizjet e vitit 1968.

Manifest identiteti

Minifundi sapo ishte prezantuar nga një stiliste angleze, Mary Quant, dhe po bëhej një prej simboleve të Londrës moderne. Në fakt, Londra ishte epiqendra e një revolucioni që preku të gjitha fushat: veshjet, zakonet seksuale, besimin, politikën, muzikën dhe artin. Dëshira e lirisë dhe e vetëvendosjes shpërtheu mes kulturës së të rinjve, ku gjithçka shprehej përmes manifestimeve. Në atë kohë nisën të krijoheshin grupe si “Beatles” dhe “Rolling Stones” që, përveç muzikës, themeluan edhe një stil gjuhësor dhe veshje inovative. “Muzika dhe moda ecin krah për krah”, thoshte Mary Quant, që jo rastësisht tregonte se kishte krijuar minifundet për t’u dhënë mundësi vajzave të kërcenin më mirë muzikën twist.

Edhe Jackie Kennedy

“Minifundi u bë në këtë mënyrë një mjet komunikimi: shprehte lirinë nga bindjet e veshjeve tradicionale femërore dhe idenë e informalitetit dhe komoditetit”, tregon Lia Fassari, docente e sociologjisë kulturore në universitetin “La Sapienza” në Romë. Jo më kot mjetet e informacionit e kuptuan menjëherë mesazhin që vinte nga ajo veshje e re. “Ishte simbol i një revolucioni kulturor, që kishte nisur në të gjitha fushat”, shpjegon Fassari. I veshur nga vajzat e reja, ishte një mënyrë për të thënë “unë jam e re, ndërsa ti e moshuar”, por edhe një sfidë ndaj vizionit të vjetër dhe maskilist të gruas. Shumë elegante, Jacqueline Kennedy u martua në vitin 1968 me armatorin grek Aristotele Onassis, e veshur me një minifustan, që mbante emrin e Valentinos. Po ashtu, televizioni shfaqte në vitin 1966 serialin fantastiko-shkencor “Star Trek”, që u bë një fenomen zakonor. Producenti Gene Roddenberry donte që protagonistet femra të vishnin minifunde: një lloj veshjeje që shihej me sy të keq nga shoqëria më konservatore, por që në të ardhmen do të përhapej kudo me shumë sukses. Revistat e modës, përmes fotografëve si David Bailey, Terence Donovan dhe Brian Duffy, prezantuan në nivel ndërkombëtar tendencën e momentit. Këta tre fotografë revolucionarizuan fotografinë e modës dhe rikrijuan raportin fotograf-modele. Aktore si Raquel Welch dhe Catherine Denevues dhe modele si Twiggy dhe Jean Shrimpton u bënë të famshme në të gjithë botën, falë përhapjes së gjerë të revistave, që u shndërruan në simbole që duheshin kopjuar.

E rrezikshme

Nëse nga njëra anë, minifundi po përjetonte sukses të madh, nga ana tjetër shihej si një veshje me reputacion të keq nga një pjesë e opinionit publik që e dënonte. Shumë e shihnin si një objekt tërheqjeje seksuale. Në vende si Franca, policia deklaroi se favorizonte dhunën ndaj grave dhe ministri i Arsimit, Alain Peyrefitte, kërkoi rikthimin e uniformave shkollore me funde të gjata. Edhe Kisha mbajti pozicion kritik ndaj kësaj veshjeje simbol, që mendohej se e çnderonte gruan. Madje u ndalua hyrja në muzetë e Vatikanit dhe në Bazilikën e Shën Pjetrit e grave që vishnin funde sipër gjurit. U ndaluan edhe shumë reklama ku femrat dolën me këmbë të zbuluara. Edhe bota e shkencës u tregua e ashpër për përhapjen e minifundit mes grave: disa mjekë shpjegonin se kjo veshje mund të ishte shkaku i reumatizmave dhe problemeve të qarkullimit të gjakut. Minifundi vazhdonte të kishte sukses, sepse simbolizonte edhe lirinë e re femërore në krahasim me censurat dhe hipokrizitë. Heqja e bordurave kishte ndjekur momentet e emancipimit femëror në shekullin XX. Në vitet ‘50 nisën të përdoreshin fundet sipër gjurit, për shkak të nevojës të një veshjeje funksionale për brezin e ri të grave. Ndërsa në vitet ‘60, minifundi ishte një shenjë emancipimi dhe një “prishje drastike” me modën tradicionale.

Minifundi, shenjë e kohës

Jo më kot mishëroi dëshirën e emancipimit dhe rebelimit sidomos të të rinjve, pavarësisht dënimit të prindërve tradicionalë që e konsideronin veshje jo të denjë, të turpshme dhe shumë seksi. Gazetat dhe revistat kishin përshtatur termin vajzat “ye-ye” për të cilësuar të rinjtë rebelë, pa paragjykime në mënyrën e sjelljes dhe veshjes.

Modelja bukuroshe

Për vajzat, modeli ishte Lesley Hornby, një lloj bukurie e kundërt me modelin e gruas “së shëndetshme”, shumë e dobët dhe me një fizik perfekt, e cila u njoh me emrin Twiggy. Ajo kontribuoi për t’i dhënë më shumë famë minifundit, ndërsa edhe vetë u shndërrua në një mit: “Daliy Expres” e cilësoi si “Imazhi i vitit ‘66”. Vajzat kopjonin modelin e saj të flokëve dhe ashtu si ajo lyenin sytë me laps të zi dhe vendosnin qerpikë fals. Dhe jo vetëm. “Gjithë gratë e asaj epoke duhej të vishnin minifunde pavarësisht se si i kishin këmbët. Ishte vërtet një diktat”, tregon Pamela Gibson, docente në “London College of Fashion”.

kosovarja.co

No comments:

Post a Comment