Qeveria synon të themelojë kompani private për punëkërkuesit

Biznesmeni Behgjet Pacolli në cilësinë e zëvendëskryeministrit të parë do të sponsorizojë së shpejti në Qeveri themelimin e një kompanie private.

Burime të Kohës Ditore kanë bërë të ditur se ai është duke hartuar një projekt që ka për synim identifikimin e të gjithë të papunëve në Kosovë, e në të cilin parashihet rikualifikimi i tyre. Për ta bërë këtë punë në projekt parashihet që Qeveria ta themelojë një kompani private.

“Në koordinim me Zyrën e zëvendëskryeministrit të parë duhet të krijohet një institucion privat i angazhuar për gjetjen në tregun e punës të profesionistëve, zanatçinjve, që kërkohen prej investitorëve të huaj”, thuhet në draftin e projektit të Pacollit, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta.

Po ashtu në draftin e projektin shkruan se në marrëveshje me Ministrinë e Punës, në mbikëqyrjen e zëvendëskryeministrit të parë, të realizohen trajnime profesionale passhkollore, për t’iu përshtatur nevojave të tregut të punës.

Burime të gazetës kanë bërë të ditur se Pacolli tashmë e ka njoftuar kryeministrin Hashim Thaçi dhe gjithë kabinetin qeveritar me projektin që ka. Përgjigje ende nuk i është kthyer, mirëpo pasi të hartohet do të shikohet nga Kabineti i Kryeministrit, i cili do të vendosë nëse do t’i japë leje të dalë në Qeveri për miratim.



/Telegrafi/
 

No comments:

Post a Comment