Qëndresa e fundit e bjondëve

Më tepër bjondë apo brunë? Në cilin grup kategorizohen shqiptarët?

Nëse do të bëjmë kërkime mbi një nga tiparet e jashtme të një grupi shoqëror siç është ngjyra e flokëve, do të vemë re se ekziston një hartë gjeografike e skicuar në bazë të tre elementëve kryesorë: ngjyra e lëkurës, ngjyra e syve dhe ngjyra e flokëve.

Në Shqipëri mungojnë studimet e mirëfillta të kohëve të fundit për të përcaktuar dhe për të paraqitur statistikisht disa të dhëna të sakta mbi këto karakteristika të shqiptarëve. Profesor Grigori është një nga gjenetistët më me eksperiencë që na e shpjegon këtë fenomen nga pikëpamja gjenetike.

“Ka gene përgjegjëse veçanërisht për ngjyrën e flokëve. Përveç melaninës që ka ndikim të drejtpërdrejtë në ngjyrën natyrale të flokëve janë disa faktorë të tjerë si prejardhja, raca, vendi ku je rritur dhe kushtet natyrore”, sqaron profesor Grigori.

Duket se asgjë nuk është e prerë me thikë. Në vendin tonë mund të gjesh persona të ndryshëm dhe me një spektër të gjerë nuancash. Por, shumë kohë më parë janë kryer disa studime nga të huajt, për shqiptarët, për tiparet e tyre, madje këto shpjegime minimale janë unike në llojin e tyre.

“Unë mendoj se pjesa më e madhe e shqiptarëve janë brunë, madje në një studim të shumë kohëve më parë thuhet se 50% janë brunë, 30% janë me ngjyra të mesme dhe një pjesë tjetër shumë e vogël është bjonde. Ne ndikohemi shumë nga fëmijët që lindin me flokë me ngjyra të çelëta, por këtë nuk duhet ta marrim si element bazë sepse ngjyra e flokëve te fëmijët ndryshon shumë me rritjen e tyre”, shton profesori.

Kjo do të thotë që ndonëse në shumë raste fëmijët e shqiptarëve lindin me flokë biondë, kjo ngjyrë shndërrohet dhe errësohet gjatë rritjes. E megjithatë, shumë të tjerë, zgjedhin metoda artificiale për t’iu rikthyer ngjyrës së çelur të fëmijërisë.

Edlira ka kontakt të përditshëm me persona që kanë preferenca të larmishme për ngjyrën e tyre të flokëve. Në 15 vjet vëzhgim profesional ajo ka evidentuar shumë elementë dhe ka arritur në disa konkluzione personale.

“Gjithmonë ka një kërkesë për të shkuar drejt skajeve: ose flokë të bardhë borë ose flokë të zinj korb. Kjo vihet re kryesisht tek adoleshentet që duan të eksperimentojnë me imazhin e tyre. Madje femrat e kanë në tip, në momentin që nuk shkon diçka ndryshojnë ngjyrën e flokëve. Kjo i motivon për të qenë ndryshe”, tregon Edlira.

Ndërkohë për të, ngjyra bazë e flokëve lidhet me një nga figurat simbol të femrave shqiptare: “Sipas mendimit tim, ngjyra bazë e flokëve është gështenjë dhe shumë pak janë bjondë.”

Ndërkohë që qarkullojnë informacione se bjondet natyrale janë një specie në zhdukje. Thuhet se bjonda e fundit do të lindi në Finlandë në vitin 2200.

Se sa e vërtetë është, kjo mbetet për t’u vërtetuar.

(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment