Qendra e traumës, mjekët s’kanë as doreza plastike e as fasho


Qendra e Traumës, në krizë të thellë për materiale mjekësore e barna. Burime të sigurta pranë saj pohojnë për gazetën se mungojnë edhe fashat e shiringat. “Mjekët e infermierët punojnë me pacientët pa doreza plastike. Nuk ka furnizim as për ato që janë të domosdoshme. Antibiotikët e të gjitha ilaçet e tjera detyrohemi t’u kërkojmë të sëmurëve t’i sigurojnë vetë”, thonë bluzat e bardha të Qendrës së Traumës. Ndonëse është e vetmja që përballon fluksin e dhjetëra aksidenteve që ndodhin çdo ditë dhe të gjitha traumave të tjera, gjendja ka arritur në atë pikë që është bërë e padurueshme edhe për personelin mjekësor. “Mungojnë edhe reagjentët për një sërë analizash, të cilat gjithashtu pacientët duhet t’i bëjnë në klinika private”, thonë burimet nga Spitali Ushtarak, ku është e instaluar Qendra e Traumës. Vetë pacientët, pjesa më e madhe të aksidentuar, pohojnë se e kanë blerë vetë allçinë dhe fashat. “Erdhëm dje në urgjencë pas një aksidenti dhe im bir kishte një frakturë në këmbë, por na thanë që nuk kishte allçi dhe duhet ta blinim vetë. Bashkë me fashën kushtonte 9 mijë lekë”, shprehet nëna e një prej të aksidentuarve të ditëve të fundit, aktualisht i shtruar në shërbimin e urgjencës, në Pavijonin e Ortopedisë. Listës së materialeve që pacientët duhet të blejnë vetë u shtohen edhe vidat, antibiotikët, protezat dhe një listë tjetër të gjatë ilaçesh. Ato që rëndojnë më shumë pacientët janë protezat e frakturave. Çmimet e tyre variojnë nga 2 mijë lekë deri në 1000 euro për një protezë. “I kam blerë vetë antibiotikët që nga dita që kam ardhur në spital. Mesatarisht 2 mijë lekë në ditë më kanë bërë vetëm këto”, thotë një tjetër pacient. Janë mbi 7400 të shtruar në vit që marrin asistencë mjekësore në Spitalin Ushtarak. Prej tyre, 87% janë pacientë civilë dhe rreth 13% ushtarakë. Numri i pacientëve që trajtohen në Spitalin Ushtarak është afërsisht i barabartë në shërbime, por më i rritur në shërbimet e neuropsikiatrisë, pneumologjisë dhe kardiologjisë. Në Qendrën kombëtare të Traumës numri i të shtruarve është më i madh në Kirurgjinë e Specialiteteve, me rreth 1184 raste për vitin e kaluar të shtruar, duke vazhduar me neurokirurgjinë me 1181 raste.

Në urgjencë, 50 raste në ditë

Çdo ditë, në Qendrën e Traumës paraqiten mbi 50 persona. Pacientët që kanë fraktura të rënda duhet të qëndrojnë mesatarisht 10 ditë në spital. Gjatë kësaj periudhe, po të mendosh se u duhen 2000 lekë në ditë vetëm për antibiotikët e ilaçe të tjera, iu rëndohen jo pak xhepat. Qendra e Traumës është e vetmja në vend që përballon fluksin e pacientëve që pësojnë aksidente, plagosje apo fraktura të tjera.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment