Punimet në autostradë sipas dinamikës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga presidentja e vendit Atifete Jahjaga, ambasadori amerikan Christopher Dell dhe disa nga ministrat e kabinetit qeveritar, të shtunën kanë inspektuar nga afër punimet që po bëhen në autostradën Vërmicë-Merdare, përkatësisht seksionet 1. 2 dhe 3.

Me këtë rast, presidentja Jahjaga ka vlerësuar se Rruga e kombit, siç e quajti ajo autostradën “Ibrahim Rugova”, përveç që do të lidhë Kosovën me Shqipërinë, do të ndikojë që Kosova të shndërrohet në një vend atraktiv për investime të huaja.

Ajo ka thënë se Kosova do të vazhdojë me projekte të rëndësishme, për përmirësimin e kushteve të qytetarëve të vendit.

Ndërkaq, kryeministri Thaçi ka përgëzuar drejtuesit e kompanisë “Bechtel & Enka” për punën dhe realizimin e punimeve në autostradë. Ai ka thënë se punimet në autostradë janë duke u realizuar para afatit dhe se gjithçka është duke shkuar sipas dinamikës së paraparë, transmeton Express.

Ai me këtë rast ka bërë të ditur së shpejti do të nisin punimet edhe në seksionin e pestë të autostradës, prej Duhlës në drejtim të Orllatit.

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell, tha se ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdare është një projekt gjigant, i cili do t’i mundësojë Kosovës përmes territorit të Shqipërisë dalje në det.

Ai ka lavdëruar edhe punën e kompanisë “Bechtel& Enka”, për të cilën theksoi se brenda një viti ka bërë një punë të madhe.

Majk Adams, president i kompanisë “Bechtel & Enka”, ka thënë se kanë bashkëpunim dhe partneritet të mirë me Qeverinë e Kosovës dhe se pas gjashtë muajve qytetarët do të kenë mundësi të qarkullojnë në një pjesë të autostradës, prej Vërmicës deri në Duhël.

Ndryshe, para rreth një muaji ka nisur asfaltimi i kësaj autostrade, e cila nga Theranda deri në Vërmicë pritet të jetë e gatshme për qarkullim në fund të tetorit.

Autostrada do të jetë e sistemit të mbyllur dhe hyrje-dalje do të ketë vetëm në kyçjet e autostradës. Gjerësia e autostradës do të jetë 28 metra, ku do të jenë 4 shirita qarkullues me nga 3.75 metra, 2 shirita për ngadalësim me nga 3 metra, si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi prej 4 metrash.

Shpejtësia e projektuar përgjatë gjithë gjatësisë së autostradës është 120 km në orë, ndërsa aty ku karakteristikat e lejes mjedisore lejojnë, është e mundshme të zhvillohet një shpejtësi e projektit prej 140 km në orë.

Nëse nuk paraqiten pengesa, ndërtimi i autostradës Morinë - Merdare pritet të përfundojë brenda 36 muajve, kurse ajo do të kushtojë rreth 700 milionë euro.



 /Telegrafi/

No comments:

Post a Comment