Provimet, si do përzgjidhen pyetjet e testeve të Maturës


Viti shkollor për maturantët mbyllet në më pak se tri javë. Tashmë ethet e provimeve kanë përfshirë pjesën më të madhe të tyre.Në shkollat e mesme mësues e nxënës janë të përqendruar kryesisht tek lënda e letërsisë dhe matematikës, të cilat do të jepen të parat. Por po punohet gjithashtu edhe për lëndët me zgjedhje, të cilave për herë të parë këtë vit të gjithë u nënshtrohen me detyrim. Nga Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve po krijohet fondi i pyetjeve, nga i cili më pas do të zgjidhet testi final me 25 të tilla. Ai do të jetë i hartuar në mënyrë të tillë që të përmbajë pyetje për të gjitha nivelet e nxënësve. Ata të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, që përgjithësisht marrin notën 5 ose 6, do të kenë pyetje në masën 40%. Hartuesit e testeve do të përgatisin pyetje pikërisht për këtë nivel, i cili korrespondon me nivelin e tretë, sipas kategorizimit që u është bërë nxënësve për nivelin e tyre arsimor. Në këtë mënyrë, këta maturantë, do të mund të marrin pikët e nevojshme në provim, sa për të mos rezultuar mbetës. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit mesatarë të notave 7 dhe 8 do të zërë në çdonjërin prej testeve po 40% të totalit të pyetjeve. Në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, për të cilat mund të përgjigjen ata maturantë që përpiqen të mësojnë, ose kanë qenë sistematikë. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 20% hapësirë në test. Në këtë grup pyetjesh, maturantët do të testohen jo më vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual. Për të marrë pikët maksimale, duhen marrë 100 pikë.
Fondi i pyetjeve
Sa i përket fondit të pyetjeve, janë rreth 13 800 të tilla që do të përgatisin hartuesit e testeve për katër provimet e Maturës, nga të cilat do të nxirren edhe kërkesat përfundimtare që do të ketë secili prej tyre. Sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit, çdo grup lëndor harton fondin e kërkesave të testeve, bazuar në matricën e specifikimeve, të hartuar nga specialisti lëndor. Ky fond është sa 20 (njëzet)-fishi i kërkesave që do të përmbajë testi. Bazuar në këtë rregull, për secilin prej dy provimeve me detyrim, që janë Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë, testet e të cilëve përmbajnë nga 25 pyetje, do të përgatiten 500 pyetje, që në total bëjnë 1 mijë. Kaq është fondi i pyetjeve, nëse do t’i referohemi vetëm një profili gjimnazi. Në total do të hartohen 7 lloje të ndryshme testesh, përshtatur drejtimit të shkollës, vetëm për një provim me detyrim fondi i pyetjeve është 3500, dhe 7000 për të dy provimet. Për dy provimet me zgjedhje, testet e të cilëve do të kenë secili nga 20 kërkesa, fondi i pyetjeve vetëm për njërin prej tyre do të jetë 400. Meqenëse për provimet me zgjedhje testet hartohen njëlloj për të gjithë maturantët, pavarësisht profilit të gjimnazit që ata kanë kryer, në total, për 17 lëndët me zgjedhje të Maturës, hartuesit e tezave do të përgatisin plot 6800 pyetje.

1 përpara secilit testim do të zhvillohen mesatarisht 5 orë konsultime në letërsi, 8 orë konsultime në matematikë dhe 8 orë konsultime në lëndët me zgjedhje. Mësuesit duhet të shpallin grafikët në shkolla

40 maturantë do të japin këtë vit provimet me detyrim dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore. Në rast se nuk marrin njërin nga provimet, ata nuk do të pajisen me dëftesën e maturës.

Datat e provimeve, i pari më 1 qershor

I gjithë procesi i Maturës do të mbyllet brenda datës 30 qershor. Në këtë datë, maturantët do t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje. Këtë vit për herë të parë ato duhet t’i japin edhe ata nxënës të cilët nuk duan të vazhdojnë arsimin e lartë. Dy provimet e detyruara do të jepen përkatësisht më 1 dhe 15 qershor.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment