Protesta të thirrura përmes rrjeteve sociale në Greqi

Nga Facebook dhe Twitter nëpër sheshet e protestës. Me parullën elektronike “Të revoltuarit nëpër sheshe” mijëra grekë, kryesisht të rinj, mbushën të mërkurën sheshet në Athinë, Selanik dhe në mjaft qytete të tjera.

Fillimisht ishin dy, shpejt u bënë shumë që përcillnin apelin elektronik, “Shkojmë nëpër sheshe si spanjollët Indignados” dhe të mërkurën mijëra të pranishëm në apel në sheshin Sintagma të Athinës. Mbi 20 mijë, tej çdo parashikimi. Ashtu si edhe para “Pirgut të Bardhë” të Selanikut por edhe në mjaft sheshe të qyteteve të tjera si Patra, Vollos, Nafplio, Janina e tj. Të rinjtë janë të revoltuar. “Të revoltuar nga të gjitha masat që janë kundër popullit” thotë Aretia, një vajzë e re, shkurt si për të mos humbur ritmin e parullës si mësuese muzike.

Me parulla si “Ej, merrni memorandumin dhe ikni që këtej”, apo “Shisni, shisni, dru që do të hani” u vunë në shenjestër protagonistët e programit të privatizimit prej 50 miliardë eurosh. “Besoj se duhet të ndryshojnë mjaft gjëra nga memorandumi me troikën, nga ato që dimë se ka dhe mjaft gjëra që nuk i dimë” shton nga ana e saj Natasha Iatropullu, afariste me një “zejtari shumë të vogël që mendoj se nuk do ta ketë të gjatë”, siç thotë.

Protesta dhe humor: “Trashaluqët i merr uria më herët”

Në protestë shihje manifestues si Nikos Vojaxogllu, me trup të bëshëm dhe humor të lezetshëm të fjalëve të stampuara në bluzën e zezë: “Trashaluqët i merr uria herët." “Desha të ndihmoj edhe unë që të mblidhen shumë. Se mos bën vaki dhe zgjohemi. Diçka duhet bërë” thotë Nikos me një çiltërsi prej babaxhani që e bën dhe më të panevojshme mungesën në këtë protestë të banderolave, pankartave dhe flamujve, kombëtarë dhe partiakë, ashtu si edhe sindikalistëve dhe tellallëve “profesionistë”.

Zbrita për të manifestuar dhe për t'u gjetur në një mjedis publik me bashkëqytetarë të tjerë jashtë çdo partie apo nisme politike. "Mjaft më!” thotë bashkëmanifestuesi i tij Andonis Koronjos, i cili ka pak shpresa se mund të dalë ndonjë gjë e madhe. Megjithatë ai thekson: “Nuk mund të vazhdojmë të paguajmë politikanët dhe nëpunësit shtetërorë pa bereqet”.

Një shkëndijë mund të sjellë zjarrin

Manifestimi ishte paqësor, por pati temp dhe pasion, madje jo pak herë parulla denigruese për politikanë të veçantë dhe munxosje të shpeshta ndaj parlamentit. “Ndoshta dëgjojnë se ç'thotë populli këtu. Në qoftë se nuk mund ta bëjnë, të ngrihen dhe të ikin dhe ta bëjnë të tjerët” thotë Kostas Maqedhonas, “i papunë por jo duarlidhur”, siç thotë, dhe shprehet optimist pasi “ndryshimet më të mëdha kanë ardhur nga pakica njerëzish”. “Një shkëndijë në një fushë të thatë mund të sjellë zjarrin. E shohim se fusha është e thatë dhe kjo e sotme s'është veçse shkëndijë” hidhet Jorgjis Ikonomopullos, në moshë të thyer por me shpirt “20vjeçari” siç thotë. Krizën e ka provuar rëndë në kurriz, plotëson, “me shtimin e shpenzimeve në të gjitha nivelet, te ushqimet, qiraja, transporti, benzina, te gjithçka”.

djenja e padrejtësisë nxjerr njerëzit në rrugë

“Kërkesa e njerëzve është të shohim pak drejtësi. Si do të bindesh cilindo qytetar që t'i bindet ligjit, kur ata që janë mbi të nuk ndëshkohen kurrë?” pyet avokati protestues Stavros Cipras. Vërtet vetëm ndjenja e padrejtësisë mund të vejë në lëvizje kaq shumë njerëz, që siç thotë Stavros kanë një mijë arsye për të protestuar. “Nga tia nisim. Nga fakti se për 30 vitet e fundit nuk është dënuar asnjë, nga kontrata e huasë që është e jashtëligjshme, pasi nuk është aprovuar nga 180 deputetë në parlament, nga ato që hanë, nga Banka e Greqisë që është private...” thotë Stavros i ndërgjegjësuar se beteja për ndryshim sapo ka filluar pasi “nuk mund të presësh nga një njeri të porsazgjuar nga një gjendje kome në spital të luajë menjëherë basketboll”.

“Jemi zgjuar, është ora që të largoheni”

Gjithsesi, asnjë nuk ka as dyshimin më të vogël se “grekët janë zgjuar”. E thotë ndërkohë dhe banderola e madhe në qendër të sheshit që shkruan në spanjisht “Jemi zgjuar. Sa është ora? Erdhi ora të largoheni”. “Besoj se përgjigjen më të mirë e dhamë sot edhe ndaj spanjollëve edhe ndaj Evropës” thotë mjeku Manolis Grigoriadhis. Spanjollët e mohojnë ekzistencën e një banderole të tillë dhe ka shumë të ngjarë, siç pranon edhe Grigoriadhis, që gjithçka të ishte një sajesë e zgjuar e grekëve për të ngritur bashkëqytetarët e tyre nga divani dhe për t'i nxjerrë në rrugë, siç edhe ndodhi.
(www.gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment