Presidenti i KE-së Barroso dhe Fule me 20 maj vizitë në Tiranë.

Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso do të vizitojë Shqiperinë, Kosovën dhe Serbinë, në datat 19-20 maj. Vizita dy-ditore është pjesë e dytë e turneut nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, që Barroso nisi me një vizitë në Bosnje, Kroaci, Mal të Zi dhe Maqedoni në fillim të muajit prill. Barroso do të shoqërohet nga Komisioneri për Zgjerim Stefan Fule.



Qëllimi kryesor i vizitës së përbashkët do të jetë "për të theksuar mbështetjen e Komisionit për perspektivën evropiane" të Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë, ka bërë të ditur një zëdhënëse e Komisionit Europian. Zëdhënësja tha se Barroso dhe Fule do të përpiqen "për të inkurajuar" këto vende të përshpejtojnë përpjekjet për të zbatuar "reformat e nevojshme", të cilat janë të domosdoshme për përparimin në rrugën drejt BE-së.


Gjatë vizitës në Shqipëri, Barroso dhe Fule pritet të adresojnë nevojën për reforma të mëtejshme për procesin e integrimit në BE, si dhe çështjen e abuzimeve të sistemit pa viza nga qytetarët shqiptarë. Vizita në Tiranë do të zhvillohet me 20 maj. Pritet që gjatë takimeve me liderët e vendit temë e diskutimeve të jenë dhe zgjedhjet e 8 majit.


Në ditën e parë, Barroso dhe Fule do të vizitojnë Beogradin. Ata pritet të diskutojnë tre çështje kryesore në takimet e tyre me udhëheqësit e Serbisë: progresin drejtë BE-së, dialogun Beograd-Prishtinë dhe pezullimin e mundshëm të regjimit të liberalizimit të vizave për Serbinë për shkak të abuzimeve masive të qytetarët serbë në vendet e BE-së ku kanë udhëtuar.


Në Prishtinë, të dy zyrtarë të lartë pritet të inkurajojnë autoritetet e Kosovës për të forcuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ata do të diskutojnë gjithashtu mbi vazhdimin e bisedimeve Beograd-Prishtinë si dhe do të diskutohet dhe çështja e lëvizjes së qytetarëve.

(shekulli.com.al)

No comments:

Post a Comment