Poni është shtatzënë, pret një djalë

Kjo stinë paska qenë një periudhë më se e frytshme për fëmijë… Listës së personazheve VIP që presin të bëhen me fëmijë, i është bashkuar së fundmi edhe këngëtarja labe, Poni, e cila për pak muaj do të bëhet nënë. Ajo pret fëmijën e saj të parë, që është mësuar të jetë djalë, ndërkohë që është në muajin e pestë të shtatzënisë. Lajmin e ka pohuar për “Standard” vetë këngëtarja, duke sqaruar se sakaq ka dhënë një intervistë ekskluzive për të rejat që e presin- jo vetëm nga muzika, ndaj nuk ka shumë dëshirë të dalë “nëpër cepa gazetash e kioska”, siç i ka cilësuar ajo lajmet rozë. E pyetëm gjithashtu se me çfarë po merrej këto kohë, e Poni u përgjigj: “Natyrisht me muzikë!” Mënyra se si është shprehur këngëtarja e “Hopa Hopa”, na ka lënë të kuptojmë se ndoshta ajo do të dëshironte ta mbante edhe për pak kohë larg mediave këtë ngjarje të shënuar në jetën e saj.

I fejuari i Ponit nuk është një fytyrë e njohur për mediat, për shkak se mesa duket çifti ka dashur të ruajë privatësinë, gjë që Poni e ka pasur përherë merak. Në fakt, prej disa kohësh, këngëtarja aq e preferuar e muzikës vlonjate por edhe asaj të lehtë, duket të ketë lënë disi mënjanë angazhimet muzikore, gjë që është e natyrshme në gjendjen e saj shëndetësore. Për Ponin është shkruar edhe disa vite më parë për një shtatzëni të mundshme, lajm që ajo jo vetëm e ka mohuar, por edhe nuk ka vonuar të ngrejë një padi për mediat që e kishte raportuar këtë lajm të rremë, sipas saj.

Ndoshta në një moment tjetër do t’ju servirim edhe një foto të nënës së ardhshme. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër këngëtare e njohur, Ledina Çelo, solli në jetë fëmijën e saj të parë, një vogëlush të quajtur Erlis. Ndërkohë që para pak javësh është bërë nënë edhe këngëtarja Elsa Lila, e cila ka lindur në Itali dhe e ka pagëzuar të bijën me emrin Evita, në nder të nënës së saj të ndjerë që quhej Eva. Nuk dimë ende se ç’emër ka menduar Poni për fëmijën e saj të parë, por si shumë personazhe të tjera publike; Alketa Vejsiu, Xhemi Shehu, Julka Gramo, Sonila Meço, Edona Llalloshi etj., 2011-a do të jetë një vit i shënuar dhe i paharrueshëm në jetën e këngëtares.

No comments:

Post a Comment