Policia:Protestat e PS të paligjshme, 28 militantë nën hetim

 
Policia dërgon për ndjekje penale në gjendje të lirë 28 mbështetës të Partisë Socialiste të cilët bllokuan dje për disa orë disa akse nacionale në mbarë vendin, në mbrojtje të votës, sic e quajnë ata.

Ata do të procedohen penaleshit për "Pjesemarrje në manifestimet e paligjshme" dhe "Pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Në Durrës janë 5 qytetarë të moshave nga 25-56 vjeç, që do të proçedohen penalisht në gjëndje të lirë. Sipas policisë protestuesit bllokuan dje për afro dy orë trafikun e automjeteve në hyrje të qytetit bregdetar dhe të autostradës Durrës-Tiranë.

Në Krujë ka nisur proçedimi në gjëndje të lirë për 13 persona të tjerë, të moshave nga 25-53 vjeç, banorë në fshatrat pranë Fushë Krujës. Sipas policisë këta janë identifikuar gjatë protestave të paligjshme që bllokuan thuajse në të njejtën orë me Durrësin edhe superstradën Fushë – Krujë –Milot në afërsi të fshatit Derven.

Në Fier në procedim penal në gjëndje të lirë janë dërguar 4 persona. Marjus Kita, 23 vjec, Andrea Kita, 25 vjec, Nelsid Ballanxhi, 24 vjec, e Hasan Hasanaj, 54 vjec. Sipas policisë këta shtetas kaë marrë pjesë në një tubim të paligjshëm dhe në aksin rrugor Fier-Lushnjë, në vendin e quajtur “Vija e Ngjalës”, me anë të një automjeti (skrep) që i përket Ndermarjes se Pastrimit Fier, kanë formuar një pengese me materiale inerte duke bllokuar plotësisht lëvizjen e automjeteve për rreth katër orë në këtë aks rrugor. Ata do hetohen për “Prishje te rendit dhe qetesise publike”, “Shkaterrim i rrugeve”, “Organizim dhe pjesemarrje ne grumbullime e manifestime te paligjshme” dhe “Pengim i qarkullimit te mjeteve te transportit”, parashikuar nga nenet 274, 155, 262 dhe 293 te Kodit Penal.

Në Vlorë policia nisi procedimin penal për 6 persona, drejtues të njësive të qeverisjes vendore përfaqësues të Partisë Socialiste dhe anëtarë e simpatizantë të kësaj force politike.
Sipas policisë së Vlorës ata dyshohet se janë organizatorë të mitingut të paligjshëm të zhvilluar mesditën e djeshme në Urën e Mifolit, pjesë e rrugës kombëtare Vlorë-Fier. Sipas policisë tubimi u zhvillua pa lejen e policisë dhe me pjesëmarrjen e rreth 300 personave, u pengua qarkullimi i automjeteve për rreth 3 orë dhe u dogj një autoveturë e vjetër.
Të 6 personat akuzohen për veprat penale të pengimit të automjeteve të transportit, organizim dhe pjesëmarrje në tubimet e paligjshme, prishje e qetësisë publike etj. Policia saktësoi se do të vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë organizatorë dhe pjesëmarrës në këtë ngjarje.

Në Tiranë, dje Policia çoi në prokurori emrat e 16 deputetëve të Partise Socialiste dhe disa personave të tjerë mes të cileve, drejtori i policise ndërtimore pranë bashkisë Tiranë dhe zëdhënësi i institucionit te pushtetit vendor .Ata akuzohen për “kundërshtim me dhunë të punonjësve të Policisë si dhe Fyerjes për shkak të detyrës”.
(BalkanWeb.com)

No comments:

Post a Comment