Policia shpëton futbollistët e Skënderbeut nga tifozët vlonjatë

Lojtarët dalin nga stadiumi me furgonat e FNSH-së. Plagoset një.

Ndeshja e fundit e Superligës ka shkaktuar edhe më shumë tension sesa pritej në qytetin e Vlorës ku përballej Flamurtari vendas, që pretendon se ia hoqën nga duart padrejtësisht titullin dhe Skënderbeu i Korçës, i shpallur tashmë kampion i Shqipërisë. Për shkak të problemeve mes dy klubeve dhe tifozerive dje ishin marrë masat për të shmangur incidentet. Kështu, FSHF kishte vendosur të mos e dorëzonte kupën në Vlorë, ndërsa as drejtuesit e klubit korçar dhe as mbështetësit e tyre VIP, si ministri Bode, nuk shkuan në Vlorë. Forcat policore ishin të shtuara në stadium dhe rreth tij. Por, as masat e marra, as fitorja e ekipit vendas nuk i shmangën dot incidentet. Ndenjëset plastike të stadiumit të Vlorës fluturuan në përfundim të ndeshjes drejt kokave të futbollistëve të ekipit korçar, të cilët për më shumë se një orë mbetën të bllokuar brenda stadiumit, pasi tifozët vendas bllokuan të gjitha daljet.
Tensioni

Ekipi i Skënderbeut mbërriti në Vlorë vetëm një orë përpara fillimit të ndeshjes, rreth orës 15:00, me një autobus që nuk kishte asnjë mbishkrim të klubit. Nga autobusi deri në stadium, “miqtë” janë shoqëruar nga sharjet në kor të tifozëve vendas të cilët nuk reshtën së shari deri në minutën e fundit të lojës. Pavarësisht tensionit në stadium, futbollistët ishin të qetë dhe miqësorë në fushën e lojës. Asnjë faull i rëndë, asnjë vendim i diskutueshëm gjyqtari. Një gol që u dha fitoren vendasve dukej se do të ndikonte në zbutjen e situatës, por nuk ndodhi kështu.
Shpërthimi

Përfundimi i 90 minutave të takimit ka shënuar kulmin e kësaj situate të tensionuar, që ka degjeneruar në përplasje midis tifozëve dhe policisë. Tifozët nisën të hidhnin në fushë sende të forta dhe kur nuk u mbeti më asgjë nëpër duar nisën të shkulnin ndenjëset plastike të stadiumit e të gjuanin me to futbollistët e Skënderbeut. Futbollistët e të dy ekipeve dhe gjyqtarët kanë mbetur në mes të fushës, pasi kalimi për në dhomat e zhveshjes ishte i rrezikshëm. Një futbollist i Skënderbeut u plagos në kokë dhe përfundoi në spital. Vetëm pas 30 minutash, kur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë siguruan mbrojtjen me skafandra, futbollistët kaluan nga fusha në dhomat e zhveshjes. Por nuk mund të dilnin nga stadiumi, pasi tifozët kishin zënë të gjitha rrugët. Vetëm pas një ore ekipi i Skënderbeut mundi të largohej nga stadiumi i Vlorës, jo më me autobusin që kishte ardhur, por i shpërndarë dy nga dy në dhjetë furgonë të FNSH-së, që arritën të çanin rrethimin.

(gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment