Policia blindon KQZ, qindra militantë PS nga Elbasani e Korca nisen drejt Tiranës

Komisioni Qendror Zgjedhor do të mblidhet sot për të vazhduar punimet me shqyrtimin e pr/aktit, i cili synon të vlerësojë si të rregullta të gjitha fletët e votimit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, të gjendura në kutitë e gabuara. Fletët e votimit janë cilësuar si të kontestueshme nga KZAZ.
Mbledhja pritet të nisë sot në orën 10.00 ndërkohë deputetët socialistë kanë paralajmëruar dje praninë e tyre. Ata shprehën dje vendosmërinë për të asistuar në KQZ dhe për të mos lejuar miratimin e projektvendimit të rishikimit të fletëve të kontestuara.

QINDRA MILITANTE PS NGA ELBASANI, KORCA E VLORA DREJT TIRANES
Ora 09: 26 Qindra simpatizantë të Partisë Socialiste janë nisur sot në mëngjes nga Elbasani, Korca e Vlora në drejtim të Tiranës për tu vendosur para KQZ në mbështetje të PS-së por dhe të Edi Ramës. Gazetarët e NEWS24 raportojnë se nga Elbasani, nga i gjithë qarku sot në mëngjes janë nisur në mënyrë të organizuar rreth 300 simpatizantë të PS-së. Sipas kryetarit socialist të Elbasanit, Astrit Halili, ky numër simpatizantësh në mesditë do të shkojë në rreth 1000 simpatizantë.
Edhe nga Korca, rreth 330 simpatizantë të PS-së janë nisur drejt Tiranës, ndërkohë që autobusë me militantë të PS-së janë nisur në mënyrë të organizuar nga Kolonja e Pogradeci. Nga Vlora janë nisur rreth 100 simpatizantë PS.


POLICIA BLINDON KQZ
Ora 09:00 Në orën 09:00 forca të shumta policie janë vendosur kordon përpara Komisionit Qendror Zgjedhor. Një numër i madh forcash policore janë rreshtuar në portën e parë dhe në portën e dytë për të hyrë në KQZ. NEËS24 raporton dhe për praninë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë brenda në oborrin e KQZ. Ndërkohë që një numër simpatizantësh e PS-së janë vendosur në trotuarin përballë KQZ-së



Pasditja e djeshme u shoqërua me orë të tëra tensioni në sallën e mbledhjeve të KQZ-së, ku ishin të pranishëm një numer i madh deputetesh të PS por edhe jashtë këtij institucioni, ku ishin mbledhur deputetë dhe simpatizantë të kësaj partie. Deputetët e Partisë Socialiste bllokuan për rreth 6 orë veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas ligjvënësve socialistë, draft i propozuar nga kreu i KQZ-së, Arben Ristani synon të ndryshojë në tavolinë rezultatin paraprak të Bashkisë së Tiranës, sipas të cilit, Edi Rama është fitues i garës elektorale, me 10 vota më shumë sesa rivali i tij demokrat, Lulzim Basha.

E gjithë situata u mbikqyr nga forca të shumta të policisë që ishin vendosur jashtë KQZ-se.

“Gazeta Shqiptare” shkruan sot se mijëra militantë e simpatizantë të Partisë Socialiste do të grumbullohen sot para selisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të kundërshtuar këtë pr/akt. Gazeta Shqiptare, i referohet tre prej krerëve lokalë të PS-së, të Vlorës, Beratit e Korçës.

Erion Brace deklaroi dje se deputetët socialist nuk kanë shkeluar ligjin pasi ato po merrnin pjesë në një seancë të hapur të KQZ.Ndërkohë që Partia Demokratike nëpërmjet një deklaratë për mediat akuzoi kreun socialist Edi Rama po e kërkon të anashkalojë procesin zgjedhor për përfitimet e tij personale.

AMBASADORI ARVIZU TAKON BASHEN TEK "WHISKY BAR"
Ora 08: 42 Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu u takua mbrëmë me Lulzim Bashën në “Ëhiskey Bar”, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Takimi mes tyre pranë mesnatës, erdhi pak orë pas bllokimit të KQZ nga deputetët e PS-së. Takimi erdhi menjëherë pas një
deklarate publike të kandidatit demokrat i cili nga selia e PD tha se i kishte kërkuar KQZ-së të vlerësonte cdo vote të kontestuar. Ndërkohë, faktori ndërkombëtar kërkoi shpalljen sa më të shpejtë të rezultatit paraprak për Tiranën. Takimi i ambasadorit me Bashen i paraprin takimeve të tjera gjatë paradites së djeshme të tre ambasadorëve Arvizu,Sequi dhe Ëolfarth me kryeministrin Berisha dhe kreun e PS. Po dje këta ambasadorë shprehën domosdoshmërinë për shpalljen sa me shpejt te rezultatit të zgjedhjeve për Bashkinë e metropolit shqiptar.

MBLEDHJA E DJESHME NE KQZ
Në orën 14:11, ndërsa KQZ-ja priste të niste punën, deputetët socialistë kishin zënë vendet si vëzhgues në sallën e mbledhjes për të mbikëqyrur zhvillimin e saj. Paraprakisht, në mbledhjen e tyre të grupit parlamentar ata kishin vendosur të mos lejonin miratimin e projekt-aktit, si edhe të ftonin simpatizantë socialistë për të protestuar jashtë godinës së KQZ-së. Për të shmangur çdo incident të mundshëm, në ambientet e KQZ-së u vu re një prani e madhe e uniformave blu, të cilat tentuan të normalizonin situatën. Për t’i paraprirë çdo të papriture edhe në anekset e stadiumit “Qemal Stafa” u vendosën në gjendje gatishmërie një numër i madh forcash speciale. Ndërkohë që policia po mbante nën kontroll situatën, në ambientet e brendshme të KQZ-së tensioni kishte kapur majat. Në momentin që kreu i këtij institucioni, Arben Ristani po lexonte përmbajtjen e draftit, deputetët e PS-së filluan të përplasin këmbët dhe të shkaktonin ilaritet në sallë. Disa ligjvënës socialistë bllokuan mandej karrigen e përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike, Niazi Kosovrasti. Kreu i KQZ-së kërkoi menjëherë lirimin e sallës, por pasi hasi në kundërshtimin e deputetëve socialistë, ai vendosi të ndërpriste mbledhjen pa njoftuar se kur do të rimblidhej sërish. Për shkak se deputetët e PS-së nuk po e lëshonin sallën, atëherë zëdhënësi i KQZ-së njoftoi mediat se mbledhja do të thirrej pas 24 orësh por pa specifikuar se kur. Në orën 20:12, ligjvënësit socialistë liruan sallën duke deklaruar në prononcime të ndryshme për median, se nuk do të lejonin ndryshimin në tavolinë të rezultatit paraprak për Bashkinë e Tiranës.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment