Plazhi i Durresit: - I tejndotur !

Drejtoria e Shëndetit Publik në Durrës jep alarmin dhe u bën apel qytetarëve të mos frekuentojnë disa zona të plazhit të Durrësit, pasi analizat e kryera kanë dëshmuar prezencën e një ngarkese të lartë bakteriologjike në ujë. Ndotja e bregdetit rrezikon të largojë turistët, por me gjithë situatën e krijuar prej kohësh, deri më tani nuk është marrë asnjë masë për një plazh të pastër. Alarmin për ndotjen e kanë dhënë ekspertët e Shëndetit Publik, të cilët kanë monitoruar në muajin prill të gjithë vijën bregdetare. Sipas tyre, edhe për këtë sezon, situata në bregdetin e Durrësit paraqitet mjaft problematike raporton Panorama. Plazhet kanë një nivel të lartë ndotjeje, duke i bërë shumicën e tyre të pafrekuentuara. Ekspertët e shëndetit publik sugjerojnë që të mos bëhet frekuentimi i këtyre plazheve ku është evidentuar nivel e lartë ndotje, duke qenë se analizat e kryera kanë dëshmuar prezencën e një ngarkese të lartë bakteriologjike. Kreu i Drejtorisë së Shëndetit Publik Parësor në Durrës, Vasil Ziu, ka reaguar ndaj problematikës që paraqet bregdeti. Sipas tij, duhen marrë masa urgjente për situatën e krijuar, në të kundërt, bregdeti i Durrësit rrezikon që këtë sezon të jetë i pafrekuentueshëm. Ai theksoi se duhet të ishin marrë masa përpara se të hapej zyrtarisht sezoni turistik dhe se kjo situatë është krijuar për shkak të ujërave të zeza që derdhen në det.
“Kanalizimet janë pika e nxehtë dhe ka një handikap të madh. Sistemi i kanalizimeve është ndërtuar para 40 vjetësh dhe nuk përballon fluksin e banorëve të cilët në periudhën e verës 4-fishohen. Drejtoritë e Higjenës, Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mjedisit monitorojnë dhe bllokojnë derdhjen e kanalizimeve të ujërave të zeza në det, nga tubacionet e operatorëve privatë në zonën turistike. Madje, për këtë qëllim kanë kryer një studim të fundit, në të cilin kërkohet urgjent nisja e investimeve për rrjetin e kanalizimeve. Mbyllja e këtyre tubacioneve që shkarkohen në det, nuk është zgjidhje, sepse ato diku duhet të shkarkohen”, u shpreh Ziu. Kreu i Shëndetit Parësor u shpreh gjithashtu se shkarkimet e ujërave të zeza dhe ujërave urbane të patrajtuara, të cilat derdhen direkt apo indirekt në det, janë mjaft problematike e të rrezikshme për shëndetin. “Situata higjeno-sanitare në bregdetin e Durrësit është e rëndë nga shkarkimi i ujërave të zeza direkt në det dhe plazhet janë të ndotur në disa pika kyçe. Monitorimi në muajin prill ka nxjerrë në sipërfaqe problematikën e gjerë që trashëgohet në vite në qytetin e Durrësit. Disa nga plazhet më të ndotura janë plazhi i Currilave, plazhi i Shkëmbit të Kavajës, derdhja e lumit Erzen dhe plazhi tek Kepi i Rodonit. Këto pika janë me një ndotje të madhe.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment