Përse na pickojnë mushkonjat?


Mushkonjat pëlqejnë të pickojnë meshkujt e gjatë dhe femrat e shëndosha, ndërsa 14 persona në 100 janë imunë.

Një studim i universitetit “Aberdeen” të bërë në brigjet e liqenit të famshëm Loch Ness ka treguar se insektet i zgjedhin viktimat e tyre, pasi tërhiqen nga substancat e prodhuara nga lëkura dhe nga frymëmarrja

Nuk është fare çështje gjaku, pasi jemi mësuar shpesh të dëgjojmë se ata që i pickojnë më shumë mushkonjat e kanë gjakun e ëmbël. Në të vërtetë, janë të tjera arsyet që i shtyjnë këto insekte të pickojnë më shumë disa persona në krahasim me disa të tjerë.

Kështu kërkuesit suedezë të Universitetit të Aberdeen, për shembull, kanë zbuluar se mes viktimave të dashura të insektit që mbretëron gjatë gjithë verës, janë gratë e shëndetshme dhe burrat e gjatë. Por ndërkaq, ka edhe të tjerë që janë me fat, pasi nuk preferohen fare prej tyre.

Rezultatet paraprake të studimit skocez, të publikuara nga “Daily Telegraph”, janë fryt i një eksperimenti të bërë te 300 persona spektatorë dhe konkurrentë, që merrnin pjesë në një garë në brigjet e liqenit Loch Ness, i famshëm për përqendrimin e madh të mushkonjave në këtë zonë. Kërkuesit verifikuan, mes të tjerave, se disa njerëz, pickoheshin më shumë se të tjerët, ndërsa rreth 14 për qind e tyre, ata më me fat, nuk pickoheshin fare. Kjo mund të lidhej me faktin se ata janë mbartës të një substance natyrore që i bënte insektet të ktheheshin mbrapsht.

Këto insekte i zgjedhin viktimat e tyre të udhëhequra nga substanca që prodhohen nga lëkura dhe përmes CO2 të emetuar me frymëmarrjen. Po ashtu u gjet se reagimi ndaj pickimeve është më i keq te gratë, ndoshta sepse këto janë më të kujdesshme për lëkurën e tyre në krahasim me meshkujt”, shpjegon Jenny Mordue, koordinator i kërkimit.

Po ashtu, kërkuesit u befasuan shumë nga fakti se në “menynë” e preferuar të mushkonjave janë femrat e shëndosha, kjo sepse ndoshta prodhojnë më shumë substanca kimike, dhe burrat e gjatë që kanë më shumë mundësi të kryqëzojnë trajektoret e insekteve që fluturojnë më lart, mesatarisht dy ose tre metra lartësi.
Viruset

Ngrohja globale krijon një habitat të përshtatshëm për këto insekte. Nga shtatë thatësirat e verifikuara 60 vitet e fundit katër kanë ndodhur këta 20 vjet dhe 10 milionë hektarë janë sot në rrezik dezertifikimi. Në të njëjtin interval kohor, temperatura mesatare është rritur 0,4°C në veri dhe 0,7°C në jug. Me rritjen e temperaturave shtohen edhe insektet e reja, siç është “Aedes albipictus”, ose mushkonja tigër, që futen në Europë me shkëmbimet tregtare. Si pasojë, mushkonjat, po shndërrohen në një problem shëndetësor.

Në vitin 1998, një studiues i ngrohjes globale kishte parashikuar që ethet tropikale, virusi i transmetuar nga mushkonja tigër, do të përhapej edhe në rajonet e buta. Më 13 maj të po atij viti, një studim i revistës shkencore “Lancet”, që mbante firmën e Anthony Costello, nga Universiteti i Londrës, konfirmoi: “Nuk ka më dyshime: gjatë 50 viteve të fundit përhapja e viruseve ka ndryshuar jashtëzakonisht. Viruset përhapen nga mushkonjat, ndërkohë që popullsia rritet në zonat e nxehta e me lagështirë”.

Habitati perfekt i mushkonjave, sidomos atyre tigër, limitohet nga ashpërsia e klimës dimërore që vret larvat dhe vezët dhe kjo shpjegon se përse deri tani transmetimi i virusit ishte i kufizuar në zonat tropikale dhe subtropikale.

Studiuesit paralajmërojnë se ngrohja globale nuk do të kufizohet për të zgjeruar habitatin e mushkonjave. Madje do të ndryshojë edhe mënyrën e jetesës. I nxehti, thonë studiuesit, do të ndryshojë përmasat e insekteve. Për të bërë vezë, edhe insektet më të vogla, duhet të hanë më shpesh. Ngrohja e klimës, do t’i nxisë ato të pickojnë më shumë, e për pasojë, rreziku i transmetimit të sëmundjeve do të jetë më i madh.

Mushkonjat transmetojnë gjithnjë e më shpesh viruse të reja, deri tani të panjohura për botën perëndimore. Për të ulur rrezikun, duhen përdorur disa masa paraprake. Ndërkohë që për disa nga këto infeksione që transmetohen përmes tyre ka ilaçe (vaksina kundër etheve të verdha, ilaçe kundër malaries), për sëmundje të tjera nuk ka ende ilaçe, sepse prekin vetëm botën e tretë, kështu që asnjë nuk shqetësohej të shpikte ilaçe ose vaksina të reja.

Kundër etheve tropikale, për shembull, vetëm mund të shpresojmë që temperatura të ulet. Në fillim duket si një virozë e tmerrshme, me temperaturë të lartë, dhembje koke, trupi, të vjella dhe ekzantemë. Më pas temperatura ulet dhe në disa raste mund të japë hemorragji të brendshme dhe të jashtme. 50 milionë persona në vit preken nga ethet tropikale, dy e treta e popullsisë botërore është në rrezik.

Në Meksikë, ku dikur ky virus ishte i panjohur, sot rastet me virusin e tmerrshëm rriten me 300% në vit. Përqindja është rritur edhe në Europë: “Europian Network on imported infections disease surveillance” ka raportuar se rastet e prekura nga ethet tropikale janë rritur: nga 64 në vitin 1999 kanë arritur në 218 në vitin 2002.

No comments:

Post a Comment