OSBE, SHBA e BE: KQZ të shpallë sa më shpejt rezultatin zyrtar


Një ditë pas takimit të përbashkët në Komisionin Qendor të Zgjedhjeve, tre ambasadorët që e kanë ndjekur procesin zgjedhor në të gjitha fazat e tij, Wollfarth, Sequi dhe Arvizu, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, me anë të së cilës theksojnë se KQZ-ja duhet të hartojë tabelat përmbledhëse të rezultateve praprake dhe t'i shpallë ato sa më shpejt.

"Qytetarët shqiptarë duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë", theksohet në deklaratën e ambasadorëve.

"Më shumë se një javë ka kaluar që kur një numër i madh votuesish në Tiranë votuan për postin e kryetarit të bashkisë, më 8 maj. Është thelbësore që rezultatet zyrtare paraprake të hidhen në tabelë me kujdes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të shpallen me shpejtësi", apelojnë tre diplomatët.

Gjithashtu, në deklaratë, ambasadorët nënvizojnë se rëndësi të madhe ka fakti që "procedurat për zgjidhjen e ankesave të jenë të qarta dhe të jenë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Shqipërisë, përfshirë Kodin Zgjedhor."

"Ne presim që të dyja palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë plotësisht procesin demokratik", përfundon deklarata e ambasadorëve.

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu, dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi zhvilluan dje një takim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me kryetarin Ristani dhe nënkryetaren Dëshira Subashi.

(shekulli.com.al)

No comments:

Post a Comment