Norvegjia pezullon ndihmën financiare për Greqinë

Norvegjia vendosi të pezullojë ndihmën financiare që i jepte Greqisë, së mbërthyer nga vështirësi të mëdha financiare, duke theksuar se Athina nuk i respekton detyrimet e saj, deklaroi dje shefi i diplomacisë norvegjeze, Jonas Gahr Stoere. Norvegjia, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Europian, bën pjesë në hapësirën ekonomike europiane dhe si e tillë jep një kontribut financiar për të sheshuar diferencat ekonomike dhe sociale në Europë. "Megjithatë kemi hasur vështirësi në zbatimin në praktikë me Greqinë ku detyrimet nuk përmbushen. Pra, jemi të detyruar të ndërpresim deri në një urdhër të ri pagesat në përfitim të Greqisë në kuadrin e EEE-s", - deklaroi Stoere përpara Parlamentit. Sipas mediave vendase Norvegjia, por edhe Islanda e Lihtenshteini, dyshojnë se kontributet e tyre financiare nuk përfundojnë në destinacionet e parashikuara dhe se Greqia nuk i përmbush detyrimet e saj, duke bashkëfinancuar në kuotën e 50 për qindëshit projektet e mbështetura nga EEE. Për sa i përket kontributit norvegjez prej 248 milionë koronash, ose më tepër se 30 milionë euro, të destinuara fillimisht për Greqinë, janë derdhur vetëm 13 milionë, dhe pjesa tjetër është ngrirë deri në një urdhër të ri.
Greqia dhe Norvegjia janë në situata ekonomike të kundërta, ndërkohë që e para po përballet me vështirësi të mëdha buxhetore që po e çojnë drejt humbjes së besimit të tregjeve, e dyta shpalos sufiçite të mëdha, kryesisht falë pasurisë së saj të madhe nga nafta.

(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment