Nis plazhi, qindra pushues ditorë zbarkojnë në bregdet

Durrës Rërë, diell, det dhe një meny me prodhime deti ka qenë në Durrës panorama e ditës së djeshme, e cila na kujtoi se sezoni turistik tashmë ka nisur. E ndërsa politika ka qenë e përqendruar në Tiranë në garën për Bashkinë e kryeqytetit, kanë qenë disa qindra pushues, të cilët nuk ishin të interesuar për garën politike, por preferuan që t'i drejtohen plazhit të Durrësit. Atyre u janë bashkuar edhe dhjetëra turistë kosovarë, që zbarkuan në Durrës për këtë fundjavë me temperatura ajri të larta.
PLAZHI
Sezoni veror, edhe pse zyrtarisht nuk është çelur ende me ceremoni sipas traditës, duket se ka filluar pasi qindra pushues nga Durrësi, Tirana dhe nga Kosova iu drejtuan plazheve të Durrësit për të kaluar ditët e pushimit këtë fundjavë. Përveç plazhit tradicional të Durrësit, pushuesit u janë drejtuar edhe plazheve të tjera, sikurse janë ai i Golemit, Malit të Robit, Porto-Romanos apo Gjirit të Lalëzit. Dje edhe pronarët e lokaleve kanë gëzuar xhirot e para të sezonit, të cilin ata e presin me padurim pasi ka të bëjë me ecurinë e biznesit të tyre. Ndërkohë, atyre që shijuan rrezet e para të diellit iu janë bashkuar edhe disa qindra kosovarë, kryesisht të rinj shkollash që gjithashtu kanë preferuar Durrësin për të kaluar ditët e fundit të javës në bregdetin e tij.
KOSOVARET
Sipas Policisë së Qarkullimit Rrugor, rezulton se në fundjavë në qytet u parkuan 40 autobusë me turistë kosovarë, kryesisht të rinj të shkollave të mesme, të cilët kanë vite që inaugurojnë të parët plazhin e Durrësit. Ata në fakt erdhën që të premten në mbrëmje dhe e nisën axhendën e tyre me vizita në Galerinë e re të Arteve në qytetin e Durrësit e më pas vijuan me xhiron e mbrëmjes në shëtitoren buzë detit, gjithashtu të sapondërtuar. Pas marrjes së rrezeve të diellit dhe banjove në det, pushuesit kanë frekuentuar lokalet e shumta të plazhit, të cilat pothuajse të gjitha kishin hapur dyert dhe kishin nxjerrë nëpër veranda tavolinat dhe karriget. Menytë e djeshme kanë qenë pjatat me prodhime deti dhe peshk të freskët. Pronarët e lokaleve deklarojnë se është me mjaft rëndësi për punën e tyre përfundimi i zgjedhjeve që në muajin maj, pasi njerëzit do të jenë krejtësisht të lirë dhe të qetë, e do të vijojnë të frekuentojnë plazhin e Durrësit.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment