“Nëna e Parë” e SHBA. Biografia e nënës së Obamës

 
Emri i saj i parë ishte Stanley, sepse i ati dëshironte djalë. Shtëpia e saj e parë ishte Kansasi, që shumë shpejt e braktisi për të udhëtuar nëpër Amerikë, pastaj deri në Indonezi dhe Pakistan. Burri i saj i parë ishte një student nga Kenia, i njohur në Havai. Quhej Barak Obama. Ja biografia e parë për “First Mother”.

Ishte një e pandërgjegjshme realiste, një ëndërrimtare pragmatike, një grua e fortë që kërkonte ta eksploronte botën përtej horizonteve të Kansasit ku kishte lindur.

Ishte nëna e Barack Husein Obamës. Një grua skandaloze që ka prodhuar “skandalin” politik, me të cilin akoma sot e gjithë Amerika nuk është dakord: i pari kryetar shteti me ngjyrë, me prindër njërin të bardhë, e tjetrin me ngjyrë.

Edhe pas dy vjet e gjysmë në krye të presidencës, kërkimesh dhe artikujsh të gjatë, historia e Stanley Ann Dunham, e martuar me babanë e Obamës, pastaj me një tjetër burrë dhe e destinuar të vdiste e vetme, mbetet një enigmë e psikologjisë njerëzore dhe femërore. Ajo që është përpjekur tani është Janny Scott, shkrimtare dhe reportere për “New York Times”, e cila ka harxhuar plot tri vjet pune dhe orë të tëra intervistash edhe me Barack Obamën, për të hedhur më shumë dritë mbi vajzën e Kansasit, apo për të ndryshuar mendjen e atyre që urrejnë djalin e saj.

Biografia që ka dalë ka një titull, që ashtu si gruaja për të cilën tregon, ka shumë kuptime: “A single mother”, ku “single” mund të ketë kuptimin si e veçantë, unike, por edhe e çuditshme dhe e ndryshme.

Ann, që i ati donte ta pagëzonte me një emër mashkulli, Stanley, sepse kishte dashur që ajo të ishte djalë, kishte lindur në vitin 1942, në mes të luftës, në një qytet, edhe ky shumë i veçantë, Wichita në Kansas. Wichita, vetëm në atë kohë mori emër dhe u bë i famshëm për prodhimin e aeroplanëve ushtarakë deri tek i famshmi B29 Enola Gay, që shkrumboi Hiroshimën. Nga bujqësia tek industrializimi, Wichita për shumë kohë ishte ruajtja e ëndrrave racionale amerikane.

Por pikërisht nën ethet e Amerikës tjetër, që kishte nisur të rebelohej kundër padrejtësive, Stanley Dunham, që e kishte braktisur emrin e djalit për t’u identifikuar vetëm si Ann, ishte portreti i vajzës me çorape të bardha, këpucë të sheshta dhe funde pak sipër gjurit. As e bukur dhe as e shëmtuar, thjesht e lezetshme dhe simpatike, ishte një grua e destinuar për jetën familjare. I ati, në rikthimin nga fronti i luftës, nuk e kishte infektuar me virusin e zhvendosjeve nga një vend te tjetri. Shitës mobiliesh dhe një tregtar udhëtar në kërkim të paqes, mori gruan dhe vajzën për t’i çuar drejt Perëndimit.

Në fillim Kalifornia, pastaj Washingtoni dhe pastaj përtej Paqësorit, në Havai, ku Ann u regjistrua në Universitet, duke ndryshuar për hir të dashurisë historinë e ardhshme amerikane. Ishte pikërisht aty në Havai që u njoh me një djalosh të ri dhe një student të shkëlqyer kenian, afrikani i parë i pranuar në atë kolegj, Barack Obama plaku, me të cilin u dashurua marrëzisht, u martua dhe solli në jetë një djalë: Barack Obaman të riun. Por as aty ëndrra për të ndjekur “diellin” nuk kishte përfunduar. Braktisjes nga i shoqi, që e la vetëm për të ndjekur prestigjin e studimeve në Harvard, Boston, e për t’u kthyer në Keni, në momentin e pavarësisë nga perandoria britanike, Ann iu përgjigj me vullnetin sfidës për të ndjekur pas një bashkëshort të ri, Lolo Saetoro, një student indonezian në Xhakartë.

Por as Indonezia, një botë ekzotike, kaq e largët dhe e ndryshme, kaq mikpritëse dhe e egër, ku prej pak kohësh masakra sistematike e komunistëve kishte vendosur regjimin e Suhartos në krye të kombit më të madh mysliman të planetit, s’i mjaftoi. U nda nga i shoqi pa e vrarë mendjen aspak nga paragjykimet e kulturës lokale, ia besoi të birin Barack prindërve të saj, të cilët e rritën pa të ëmën në Havai dhe u hodh me të gjitha forcat në fushën e antropologjisë, në studimin njerëzve dhe të sociologjisë së varfërisë në Botën e Tretë deri, sa mori doktoraturën. Në disertacionin e saj final hodhi për herë të parë idenë e mikro-kredive për ndërmarrjet e vogla dhe mbi të gjitha, për vlerësimin e punës së grave.

Kështu, në mënyrë të pashmangshme u bë një figurë e huaj për të birin, që shpesh në kujtimet e tij për dashurinë dhe mirënjohje përmend thuajse gjithmonë gjyshërit në Havai. Në autobiografinë e tij të parë, Ann, e ëma, kujtohet pak, me një dashuri të vakët, por edhe me keqardhjen që e njohu pak, ashtu si për të atin që thuajse nuk e njohu fare. “Keqardhja ime më e madhe është fakti se nuk kam qenë një nënë e mirë, që nuk i kam kaluar vitet më të bukura të jetës me djalin tim, kur u diplomua për ligj në Harvard dhe kur filloi më pas karrierën politike në Chicago”, kujtonte ajo.

E gjitha kjo tingëllonte si shuplakë për të mos e pranuar dot kurrë faktin se e kishte përjashtuar të birin nga jeta e saj. Pas kthimit nga Pakistani, u rikthye për të jetuar sërish në Havai, duke treguar kështu se e kishte të pamundur të qëndronte për një kohë të gjatë në një vend. Në fushatën elektorale të të birit në vitin 2008, u shndërrua në “gurin e themelit” për të denoncuar skandalin shëndetësor kombëtar.

Barack e përdorte për të denoncuar mungesën e mëshirës së sistemit të sigurimeve private, duke treguar se Ann, që i kishte kaluar vitet e fundit të jetës së saj duke luftuar kundër gjigantit të sigurimeve “Cigna”, që donte t’i hiqte çdo lloj mbulimi, duke dyshuar se ajo kishte qenë e sëmurë para se të nënshkruante faturën. Megjithatë, ajo, vajza e brishtë e ardhur nga Kansasi, që tregoi se ishte ende e virgjër kur njohu bashkëshortin e parë dhe burrin e saj të parë në jetë, Barack Plakun, antropologia që kishte lënë gjithçka për të ndjekur bindjet e saj e për t’iu dedikuar luftës kundër varfërisë, i kishte treguar vazhdimisht vajzës që pati nga martesa e saj e dytë, dashurinë e munguar për birin e saj që u bë një njeri i suksesshëm, e që ajo nuk arriti ta shihte dot president.

“Barack ishte një djalë i shkëlqyer, inteligjent, guximtar dhe kureshtar për të parë e njohur gjithçka në shkollat publike të Xhakartës”, i tregonte të bijës. “U përpoq të dinte e të lexonte gjithçka për të nga larg”, kujtojnë miqtë, një sipërmarrje shumë e vështirë kjo në kohën kur informacioni mund të merrej vetëm përmes gazetave që vinin me postë. “Unë e ndieja dashurinë e saj të madhe që më ka ndjekur gjithmonë në jetë”, ka thënë presidenti amerikan për autoren e librit.

“Ishte ajo që më mësoi se pavarësisht asaj që dukemi, jemi të gjithë qenie njerëzore, me të mirën dhe të keqen brenda nesh. Shumë nga idealizmi i saj ajo ma ka kaluar mua. Jam djali i nënës sime”. Pak para se të vdiste, Ann Dunham lexoi dorëshkrimin e kujtimeve të të birit “Ëndrrat e tim ati”,dhe zbuloi se gjithçka ishte përqendruar mbi figurën e atij njeriu që Barack nuk e kishte njohur asnjëherë vërtet. Kishte pasur me të vetëm një takim të shkurtër. Kur Presidenti i ardhshëm ishte dhjetë vjeç, i ati e kishte çuar në një koncert të Dave Brubeck, pianisti i madh i xhazit.

“Nuk u ankua, nuk protestoi dhe nuk e bëri me dije Obamën se i vinte keq. Sepse ajo vetë nuk ishte aspak ashtu”, tha më vonë e bija Saetoro-Ng. Vdiq e vetme në Havai rreth 10 mijë kilometra larg të birit, që tani thotë se e ndien peshën e asaj largësie. Gjithsesi tani është vonë, edhe pse i biri është president. Sot Obama konsideron si gabimin më të madh të jetës së tij mos-ndodhjen pranë shtratit të së ëmës në momentet e saj të fundit. Ai shkoi në Havai, pasi kur familja hodhi hirin e saj në Paqësor. Nga ana tjetër, gjatë gjithë fushatës zgjedhore deklaroi se e ndiente shpirtin e saj brenda vetes, tek i qëndronte pranë dhe i jepte forcë.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment