Ndihmë morale për Japoninë

Filarmonia e Kosovës do të organizojë koncert memorial, për t’u solidarizuar me tragjedinë e Tsunamit, e cila e goditi Japoninë më 11 mars të këtij viti. Në koncert do të ekzekutohen vepra të kompozitorëve evropianë si dhe një vepër japoneze.

Ende nuk dihen datat e sakta si dhe nëse ka pasur ndonjë datë, do të ndryshojnë ato. Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, thotë që këto ndryshime ndodhin për shkak të involvimit të mundshëm të institucioneve të Kosovës. Është fjala për koncertin, të cilin do ta organizojë Filarmonia e Kosovës, për të dhënë një përkrahje morale, kulturore për popullin japonez dhe tragjedinë që i ka ndodhur dy muaj më herët.

Ky koncert mendohet të mbahet rreth datave 23-25 qershor, ku sipas Jasharit, ka kohë që janë në diskutime me institucionet e Kosovës, pasi që agjenda, gjatë muajit qershor do të jetë shumë e ngarkuar. Kjo për shkak të festave të ndryshme, e ku me 11 qershor është dita e çlirimit të Prishtinës, me 15 qershor dita e kushtetutës së Kosovës, e në gjithë këto organizime festash, Filarmonia e Kosovës është e angazhuar zyrtarisht.

Jashari thotë që ende janë në konsultime në lidhje me koncertin, ku pavarësisht që kjo është iniciativë e Filarmonisë, ajo natyrisht që duhet të mbështet edhe nga institucionet tjera.

“Kjo është një iniciativë e Filarmonisë së Kosovës, por natyrisht me mbështetjen edhe nga institucionet tjera, këtij koncerti do t’i japim një kuptim më të plotë. Të jetë jo vetëm si një koncert i thjeshtë, por besoj që do të inkorporohet edhe shoqëria civile që atë ditë të organizohen edhe aktivitete tjera, në përkrahje të popullit japonez, që siç dihet kanë kontribuar shumë edhe në Kosovë”, theksoi Jashari

Në këtë koncert do të ekzekutohen vepra të kompozitorëve evropianë dhe do të jetë një vepër e një autori japonez.

Sipas Jasharit, do të ekzekutohen vepra të orientimit memorial “pasi që, para së gjithash, dëshirojmë të përkujtojmë tragjedinë që ka ndodhur atje dhe nuk do të jetë koncert festiv, por do të jetë koncert memorial përkujtimor për viktimat atje dhe njëkohësisht mbështetje morale për popullin japonez”, u shpreh Jashari.

Ashtu siç është në praktikën e Filarmonisë së Kosovës, të mos ketë bileta, edhe këtë herë nuk do të ketë, pasi që këtu nuk është esenca të mblidhen mjete, por të solidarizohen me dëmin e tyre. “Nuk do të ketë bileta, pasi që nëse i pyesim japonezët ata nuk janë të interesuar, në kuptimin pozitiv, sepse ajo ndihmë do të ishte simbolike, por më tepër në këtë rast qon peshë ndihma morale”, thotë Jashari.

I pyetur nga Express se pse po organizohet në këtë kohë koncerti, e jo më herët, kur dihet që tragjedia ka ndodhur dy muaj më herët, Jashari u shpreh “natyrisht që ka të bëjë me kushtet tona dhe aktivitet tona që kanë qenë të shumta gjatë prillit dhe majit dhe natyrisht që është dashur kohë që të organizohemi”, tha në fund ai.
(www,gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment