Ministri Hoxhaj takoi Ban Ki-moonin


Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar të shtunën në New York Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.


Në këtë takim ministri Hoxhaj ka informuar sekretarin e përgjithshëm të OKB-së për shtetndërtimin e suksesshëm të Kosovës, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme.

Nga ana tjetër, Ban Ki-moon ka përgëzuar ministrin Hoxhaj për progresin e Kosovës në vitet e fundit.

“Unë mbështes zhvillimet pozitive në Kosovë”, ka thënë Ki-moon.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm për zgjedhjet e fundit dhe krijimin e një Qeveri shumetnike dhe profesionale.

“Pavarësia e Kosovës ka prodhuar paqe dhe stabilitet në rajon. Në tri vjetet e fundit Republika e Kosovës ka implementuar pakon e presidentit Ahtisarit, i cili ka qenë i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm si dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Në këtë takim, ministri Hoxhaj ka ngritur edhe çështjen e veriut të Kosovës.

“Atje ka nevojë për sundim të ligjit dhe shpërbërjen e menjëhershme të strukturave paralele të Serbisë. Institucionet paralele të Serbisë që vazhdojnë aktivitetet e tyre në disa pjesë të Kosovës janë ilegale edhe sipas vendimeve të vet Këshillit të Sigurimit”, ka ritheksuar Hoxhaj.

Në këtë takim është diskutuar edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në institucione politike, financiare, kulturore dhe sportive ndërkombëtare, për zhvillimin ekonomik të Kosovës, për sfidat që ka në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe për rrugën që po bënë në procesin e integrimeve evropiane.

Ministri Hoxhaj ka potencuar synimet e Kosovës për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.



(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment