Mendime të ndryshme për çmimin e PTK-së

 Paratë nga privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës (PTK), sipas ekspertëve, nuk do të vijnë përnjëherë, siç pretendon Qeveria.


Ekspertët sqarojnë se një gjë e tillë është e pamundur.
“Nuk besoj se ka ndonjë investitor që sjell gjithë shumën e transaksionit në një hyrje të vetme. Është çështje bazike e menaxhimit të rrjedhës së parasë nga kompania investuese që Qeveria ka harruar të llogarisë”, thotë për “Zërin” Lumir Abdixhiku, drejtor i institutit “Riinvest”.

Megjithëkëtë, në Qeveri këmbëngulin që transaksioni do të bëhet komplet, dhe atë në një afat të shkurtër pasi që të shitet PTK-ja. “Sa i përket pagesës për vlerën e PTK-së, kjo do të përcaktohet me marrëveshjen e shitblerjes, e cila u ofrohet blerësve potencialë me dokumente të tenderit. Kjo pagesë do të bëhet komplet, brenda një kohë të shkurtër pasi të finalizohet marrëveshja”, ka thënë për “Zërin” Arsim Bruqaj, menaxher i Njësisë implementuese të projektit për privatizimin e PTK-së.

Mospajtimet mes ekspertëve e Qeverisë rreth shitjes së PTK-ës janë të shprehura edhe sa i përket vlerës për të cilën ajo do të shitet. Në qeveri këmbëngulin që kurrë nuk kanë përmendur shifra.

“Personat përgjegjës për menaxhimin e projektit të privatizimit të PTK-së, ministrat anëtarë në Komisionin e Privatizimit të PTK-së, nuk kanë përmendur asnjëherë asnjë çmim zyrtar me të cilin eventualisht do të mund të shitej PTK-ja”, thotë Arsim Bruqaj.

Por, ekspertët citojnë dokumente publike që flasin për paracaktimin e vlerës së shitjes së PTK-së. Sipas Abdixhikut, përcaktimi i vlerës prej 300 milionësh për shitjen e PTK-së, që sipas tij, bëhet shitja për borxh dhe për nguti konfirmohet edhe në marrëveshjen me FMN-në.


(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment