Me 7 vota pro miratohet procedura e nxjerrjes së shifrës finale.

Rezultati i zgjedhjeve lokale të 8 majit për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës transferohet plotësisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Pas ditësh diskutime, institucioni i drejtuar nga Arben Ristani ka miratuar vendimin që sanksionon procedurat që do të ndiqen me qëllim hartimin e tabelës përmbledhëse për Bashkinë e Tiranës. Vendimi në fjalë vjen në një kohë kur të gjitha Komisionet e Zonës së Administrimit Zgjedhor në kryeqytet kanë dorëzuar zyrtarisht tabelat e tyre përmbledhësve çka i lejon, madje e detyron KQZ-në që të nisë punën e nxjerrjes së tabelës së përgjithshme që është edhe pasqyra zyrtare e rezultatit final. Një shpjegim konkret i aktit të djeshëm është i nevojshëm për të krijuar një ide mbi atë punë që do të prodhojë mandej edhe shifrën e vënë aktualisht në diskutim. Kështu, sipas vendimit të marrë me 7 vota pro dhe asnjë kundër, KQZ përkufizoi se “Tabela Përmbledhëse e Rezultatit printohet nga baza e të dhënave të krijuar nga transmetimi i rezultatit të çdo qendre votimi nga vendet e numërimit të votave përkatëse në KQZ...”. Ky paragraf është i kushtëzuar në realizimin e tij nga një sërë veprimesh të tjera të detajuara në aktin e djeshëm, të cilat parashikojnë krahasime mes të dhënave ekzistuese në sistemin e krijuar nga KQZ me tabelat origjinale të çdo QV të ardhura fizikisht në institucion nga KZAZ-të e kryeqytetit. Pikat e tjera të nënrenditura si funksion i qëllimit kryesor sqarojnë më mirë rrugën që do të ndiqet. “Krahasohen rezultatet në tabelën përmbledhëse origjinale të rezultateve të miratuara nga KZAZ-ja me tabelat origjinale për çdo qendër votimi dhe më pas këto tabela origjinale krahasohen me rezultatet për subjektet përkatëse që ndodhen në bazën e të dhënave”, thuhet në pikën 2.1 të aktit. Më tej, KQZ do të jetë në korrent të çdo veprimi të kryer, çdo përputhjeje ose mospërputhjeje, me qëllim mbajtjen e dinamikës së procesit, por edhe zbatimit të Kodit Zgjedhor që i njeh të drejtën komisionit të korrektojë gabimet e verifikuara dhe të nxjerrë rezultatin bazuar mbi rezultatin real. “Përputhjet dhe mospërputhjet e vërejtura mbahen shënim dhe i raportohen KQZ-së. Pas dhënies së pëlqimit nga KQZ-ja bëhen rregullimet përkatëse në bazën e të dhënave dhe prej saj Tabela Përmbledhëse e Rezultateve për Bashkinë e Tiranës”, thuhet në vijim në aktin e djeshëm. Si mbikëqyrës të procedurave komisioni ka caktuar sekretarin e përgjithshëm të institucionit dhe drejtorin e IT-së, si dy nëpunës përgjegjës për të. Si bazë ligjore për të gjithë këtë projekt akt kanë shërbyer dy nene, ai 21 dhe ai 123 që përkufizojnë me hollësi detyrimet e KQZ-së në këtë drejtim. “KQZ-ja nxjerr rezultatet e votimit për zonën zgjedhore, në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore përkatëse. Për këtë, KQZ-ja plotëson Tabelën e Përmbledhëse të Rezultatit për Zonën Zgjedhore dhe e miraton atë me vendim jo më vonë se 48 orë nga mbërritja e të gjitha tabelave të Zonës Zgjedhore. Kur gjatë llogaritjes së tabelës, KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të palëve, vëren mospërputhje të shifrave të tabelës përmbledhëse me tabelat e rezultateve të qendrave të votimit, merr vendim për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit me shifrat e korrigjuara, duke u bazuar në origjinalet e tabelave të qendrave të votimit”, thuhet në nenin 123. Në këtë kuadër me interes është fakti se procesi po nis pa një tabelë të miratuar, që është ajo e KZAZ-së, nr. 49, e cila përgjigjet për njësinë bashkiake nr. 5, për arsye se tabela përmbledhëse e saj ka mbërritur në KQZ me 3 firma pro dhe 4 kundër. Për këtë arsye, komisioni ka bërë të ditur se do të ndërmarrë veprime për të miratuar vetë këtë tabelë, e cila me gjasë do të jetë përcaktuese edhe sa i përket procesit ankimor që është paralajmëruar të paktën nga Partia Demokratike. Po në këtë kuadër, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj, ka kërkuar shkarkimin e 4 anëtarëve të KZAZ nr. 49, të cilët, sipas tij, “kanë shkelur ligjin sistematikisht”.

(gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment