MASH, ja si do zhvillohet matura

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka publikuar dje udhëzimin për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2011. Nuk ka surpriza sa i takon përbërjes së testeve të provimeve të detyruara dhe me zgjedhje. Edhe këtë vit do të zbatohet formula e maturës së kaluar. Për dy provimet e detyruara Gjuhë Shqipe dhe Matematikë testi do të përmbajë 25 kërkesa, ndërsa testi i provimeve me zgjedhje do të përmbajë 20 kërkesa. Sipas udhëzimit të MASH vlerësim më të madh do të kenë pyetjet me zhvillim, nëpërmjet të cilave korrigjuesit gjykojnë më mirë mbi dijet që kanë nxënësit.


Provimet e detyruara


Në datën një qershor 40 mijë maturantë do të japin provimin e parë të detyruar të Maturës Shtetërore, në lëndën e Gjuhës Shqipe. Provimi do të nisë në çdo shkollë të vendit në orën 10:00. Testi që do të kenë nxënësit përballë do të përmbajë 25 pyetje, të cilat do të jenë të ndara në dy grupe. Në grupin e parë janë 13 kërkesa të cilave maturantë do t'u duhet t'i përgjigjen me një nga alternativat e dhëna në fletën e provimit.

Në rast se nxënësi do ti përgjigjet saktë të 13 kërkesave ai do të vlerësohet me 13 pikë. Në grupin e dytë të pyetjeve janë 12 kërkesa. Këtyre kërkesave nxënësit duhet t'u përgjigjen me argumente të cilat të shpjegojnë përgjigjen e tyre. Këto kërkesa vlerësohen në total me 37 pikë. Në datën 15 qershor kur të japin provimin e Matematikës nxënësit do të kenë përballë të njëjtën strukturë provimi.


Provimet me zgjedhje


Në fund të muajit qershor maturantët përballen me provimin e fundit të Maturës Shtetërore, në të cilin do të testohen për njohuritë në dy lëndë të zgjedhura prej tyre në formularin A1. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje përmban 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje janë me përgjigje alternative dhe vlerësohen me 10 pikë dhe 10 pyetje janë me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. Provimet e detyruara sipas udhëzimit të MASH zgjasin 2 orë e 30 minuta secili.


Për ata maturantët që do të japin provim njërën nga lëndët me zgjedhje, koha që kanë në dispozicion është 2 orë. Këta maturantë do të fillojnë provimin në orën 11.00 dhe do ta zhvillojnë atë në mjedise të veçanta.


Hartimi i testit


Përzgjedhja e pyetjeve për secilin test të provimeve të detyruara dhe me zgjedhje do të kryhet nga specialistë të caktuar prej Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, të cilët emërohen përzgjedhës të testit përfundimtar (PTP) në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të AKP. Përzgjedhësit e pyetjeve do të izolohen në ambientet e përcaktuara nga MASH, një javë përpara provimit dhe për të ruajtur sekretin e tezës së provimit do të jenë në mbikëqyrjen e plotë të Policisë së Shtetit.


Ministria e Arsimit bën të ditur se grupi i parë i përzgjedhësve të pyetjeve do të fillojë punën më datë 25 maj. Ata do të qëndrojnë të ngujuar për të përgatitur testin e provimit të Gjuhës Shqipe deri më datë 1 qershor. Grupi i dytë i përzgjedhësve të pyetjeve të provimit të Matematikës do të ngujohet më datë 8 qershor. Ata do të dalin nga ambientet e përcaktuara në datë 15 qershor, ditë në të cilën do të kryhet edhe provimi i matematikës.


Ndërsa grupi i tretë i përzgjedhësve, që do të hartojë testet e provimeve të lëndëve me zgjedhje do të izolohet nga data 23 deri më 30 qershor 2011. Pas përzgjedhjes së testit, të kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test broshurave nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.


Qendrat e vlerësimit


Për vlerësimin e testeve të Maturës Shtetërore 2011 MASH ka vendosur krijimin e gjashtë qendrave të vlerësimit. Pas zhvillimit të çdo provimi të Maturës Shtetërore 2011, testet e maturantëve dërgohen, nën masa të rrepta sigurie, në godinën e shkollës "Sabaudin Gabrani" Tiranë. AKP-ja kryen aty inventarizimin dhe shpërndarjen e tyre në qendrat e vlerësimit, të cilat ndodhen për Tiranën në godinën e shkollës "Sabaudin Gabrani".


Aty është vendosur që të jenë dy qendra vlerësimi qendra Nr. 1 dhe qendra Nr. 2. Në Elbasan, qendra e vlerësimit do të jetë në godinën e shkollës "Qemal Stafa", në Shkodër, në godinën e shkollës "Jordan Misja", në Fier, në godinën e shkollës "Naim Frashëri" dhe në Korçë, në godinën e shkollës "Sevasti Qiriazi". Transporti i testeve nga Tirana për në secilën nga qendrat e vlerësimit Elbasan, Shkodër, Fier, Korçë dhe anasjelltas, do të bëhet, nën masa të rrepta sigurie, me automjete të DAR-së përkatëse.



Provimet e Lirimit, njësoj si vjet


Provimi i parë i detyruar për të gjithë nxënësit e klasës së nëntë do të jepet me datë 17 qershor, ndërsa i dyti më datë 23. Dje ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar udhëzimin për realizmin e provimeve të lirimit për vitin shkollor 2010-11 dhe detajet plotësuese. Udhëzimi i ministrit që shoqëron këtë rregullore përcakton se testimi i njohurive në Gjuhën Shqipe do të bëhet me 17 qershor, ndërsa provimi i Matematikës do të bëhet vetëm një javë më vonë, më 23 qershor.


Rreth 50 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollës ku do të testohen mbi njohuritë e marra. Testi që do të zgjidhin nxënësit do të jetë i njëjtë në të gjithë republikën dhe do të ketë të njëjtën përmbajtje, i vetmi dallim do të jetë ndarja në variante, një metodë kjo që do të shmangë kopjimin e mundshëm. Provimet e Lirimit do të fillojnë në orën 10.00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta.


Në shkollat e pakicave kombëtare (greke dhe maqedonase) zhvillohet Provimi i Lirimit në gjuhën amtare. Për shkollat e pakicës kombëtare greke teza do të përgatitet nga DAR Gjirokastër. Zyra Arsimore Delvinë dhe Zyra Arsimore Sarandë duhet të tërheqin në DAR Gjirokastër tezën në ditën e provimit. Për shkollat e pakicës kombëtare maqedonase teza përgatitet nga DAR Korçë dhe tërhiqet ditën e provimit nga drejtori i shkollës i shoqëruar nga përfaqësuesi i DAR Korçë.


Për Institutin e nxënësve që nuk shikojnë, testi të tërhiqet në AKP nga drejtoria e institutit një ditë para zhvillimit të provimit, që e kthen atë në sistemin e shkrimit BRAIL. Për hartimin e testeve të Provimeve të Lirimit MASH ka ngarkuar Agjencinë Kombëtare të Provimeve. Në rregulloren e Provimeve të Lirimit kësaj agjencie i është lënë detyra për hartimin e testeve të standardizuara. Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë.


Kështu, vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse do të mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) prej hartuesve të testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Bashkë me testet për çdo provim, AKP-ja i dërgon Komisionit të Provimeve të Lirimit pranë DAR-it ose ZA-së (KPL) skemën e vlerësimit të testit dhe skemën e konvertimit të pikëve në nota.


Pas kësaj, Komisioni i Provimeve të Lirimit pranë DAR-it ose ZA-së përzgjedh vlerësuesit e jashtëm dhe kryetarët e tyre. Vlerësues të jashtëm vlerësojnë testet e provimeve. Numri i tyre është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit. KPL-ja e DAR/ZA-së, pas çdo provimi, dërgon skemën e vlerësimit në Komisionin Shkollor të Provimeve të Lirimit (KSHPL), të cilat e afishojnë dhe informojnë çdo nxënës për të. Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga DAR/ZA, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta.Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues.


Llogaritja e pikëve


Formula e llogaritjes që do të përdorë Agjencia Kombëtare e Provimeve është: ((D1 + D2 + M) x k1 + (T1 + T2) x k2) x 100 = X. Sipas kësaj formule, M = mesatarja, D1 = provimi i detyruar i letërsisë, D2 = provim i detyruar i matematikës, T1 = provimi me zgjedhje 1, T2 = provimi me zgjedhje 2, k1 = koeficienti sipas shkollës së kryer dhe k2 = koeficienti sipas provimeve me zgjedhje. Duke zëvendësuar faktorët me notat dhe koeficientet përkatës, çdo maturant mund të përllogaritë pikët që mund të arrijë dhe më tej të shohë se në cilat degë ka më shumë mundësi për të fituar.
(shekulli.com.al)


No comments:

Post a Comment