Marrëdhëniet kontraktuale me BE, në interes të Kosovës

 
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se dhënia e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe vendosja e marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian është në interes të vendit tonë.

Ai gjatë një takimi të enjten me një delegacion të Parlamentit Evropian, të kryesuar nga Eduard Kukan, ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e shumanshëm të eurodeputetëve në promovimin dhe avancimin e pozicionit të Kosovës në agjendën për integrim evropian.

Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi me theks të veçantë ka potencuar letrën e fundit të tre euro-deputetëve në adresë të presidencës së BE-së për lansimin e dialogut për liberalizimin e vizave

Ai ka thënë se institucionet e vendit e kanë kuptuar procesin e integrimit evropian si një dinamikë të brendshme përmes së cilës do të ndërtojnë mundësitë evropiane në Kosovë.

Kryeministri Thaçi ka shpalosur prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe ka theksuar në veçanti planin ambicioz për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, agjendën legjislative, përmes të cilave projekte, siç theksoi ai garantohet rritja ekonomike, stabiliteti makro-financiar dhe reformat e shumanshme.

Në takimin me delegacionin e Parlamentit Evropian, kryeministri Thaçi ka folur edhe lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, duke theksuar se Kosova vitin e kaluar ka miratuar Ligjin për riatdhesim, Strategjinë për ri-integrim, ka aprovuar një fond prej 3.5 milion eurosh për procesin e ri-integrimit, ndërsa këtë vit fokusi është përqendruar në nivelin lokal, duke funksionalizuar zyrat për këtë çështje në nivelin komunal.

Në kuadër së përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, kryeministri Thaçi ka theksuar se gjatë muajit maj përfundon digjitalizimi i regjistrit civil, ndërkohë që janë përmbyllur të gjitha procedurat e për fillimin e prodhimit të pasaportave biometrike.

Gjithashtu, në fillimin e negociatave për marrëveshje tregtare, Republika e Kosovës, ka shtuar Thaçi, qysh në maj të vitit të kaluar ka dorëzuar pyetësorin me të gjitha përgjigjet.

“Dhënia e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe vendosja e marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian është në interes të vendit tonë dhe të perspektivës evropiane për Kosovën dhe gjithë rajonin”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, Eduard Kukan, theksoi se ai dhe eurodeputetët tjerë, mbështetës të zhvillimit dhe integrimit të Kosovës, do të vazhdojnë përkushtimet për të afirmuar në vazhdimësi të arriturat e institucioneve të Kosovës, në funksion të jetësimit të plotë të agjendës evropiane për vendin tonë. 
(kosovapress.com)

No comments:

Post a Comment