LSI: Fituam më shumë vota se në ’09

LSI: Fituam  më shumë  vota se në ’09TIRANE-LSI deklaroi dje se si parti, ajo ka fituar më shumë vota si subjekt krahasuar me zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama tha dje se “në 66 njësi vendore, që janë kryesisht komuna për të cilat ne kemi rezultatin e shpallur nga KZAZ-të, LSI-ja ka marrë 19.300 vota nga 11.600 të tilla të marra në zgjedhjet e vitit 2009”.

Rama konfirmoi se janë fituar dy bashki, ajo e Lezhës me Viktor Tushën dhe bashkia e Çorovodës. Ndërsa ka vlerësuar raportin dhe rekomandimet e dhëna nga misioni i OSBE-ODIHR-it, Luan Rama renditi një nga një të gjitha rezultatet e marra në zgjedhjet e 8 majit në shumë komuna e bashki, krahasuar edhe me shifrat e 2009 apo 2007-ës.
Sipas tij, “trendi i rritjes së votës pro LSI-së, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2009 është padyshim në rritje. Treguesit janë në rritje nga 50% deri në 230% dhe kjo na bën të shpresojmë për një rezultat padyshim shumë më të mirë nga ai që kemi pasur në 2009-ën, çka do të konfirmojë edhe një herë peshën reale, politike dhe mbështetjen qytetare që vjen në rritje për LSI-në. Të tillë tendencë në rritje dhe të tillë tregues ka edhe në të gjitha qendrat e votimit të numëruara në qytetin e Tiranës”, - u shpreh Rama. Ndërkohë më vonë, nënkryetarja e LSI-së, Nora Malaj ka deklaruar se kjo parti është kundër presioneve politike që po i bëhen procesit të numërimit. “LSI është kundër të gjitha propozimeve dhe presioneve që bien në kundërshtim të propozimeve të OSBE-ODIHR-it. Thirrjet dhe apeli ndaj qytetarëve për të shkuar e mbrojtur votat e tyre është në kundërshtim me parimet demokratike”, - tha Malaj.
(BalkanWeb.com)

No comments:

Post a Comment