Londra kundër ndarjes së Kosovës

 
Londra zyrtare është kundër ndarjes së Kosovës dhe se ideja për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e pamundur dhe e rrezikshme. Kështu ka deklaruar ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff në një intervistë për Express.

Cliff ka thënë se një ekip i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe po përgatit një strategji, në përpjekje për të siguruar më shumë njohje për Kosovën, ndërsa për këtë qëllim Londra do të lobojë veçmas te shtetet e Commonwealthit.

“Duhet një proces i gjatë politik. Mendoj se kjo është edhe arsyeja pse roli i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe Zyrës Ndërkombëtare Civile është shumë i rëndësishëm. Plani i Ahtisaarit ofron mundësinë e krijimit të një komune në pjesën veriore të Mitrovicës. Mendoj se kjo do të marrë kohë, ka disa probleme në veri, madje edhe derisa po flasim. Është shumë me rëndësi që t’i japim një mesazh Beogradit, të ashtuquajturave struktura paralele në veri se bashkësia ndërkombëtare beson në integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Ambasadori Cliff.

“Është shumë e rëndësishme që të punojmë me komunitetet në veri dhe kjo nuk është e lehtë, është një detyrë afatgjatë, por mendoj se ne të gjithë duhet t’i përkushtohemi këtij synimi në vend se të ndryshojmë drejtimin nga thirrjet e zërave të lartë zërave, që bëjnë thirrje për ndryshimin e rrugës nga njerëzit në Beograd, që në veçanti thonë të shikojmë ndarjen”, ka theksuar ambasadori Cliff. 

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment