Lirohen zyrtarët komunalë të Prishtinës

 
Gjashtë zyrtarët e Komunës së Prishtinës, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, me vendim të gjykatës janë liruar të martën pasdite nga paraburgimi.

Ridvan Shahini, Drejtor i infrastrukturës; Ekrem Rexha, Shef i prokurorimit; Qazim Bajrami, Kryesues i organit mbikëqyrës; Halil Fejziu dhe Hazir Krasniqi, anëtar të organit mbikëqyrës; si dhe Refik Sadiku, kryetar i organit mbikëqyrës; do të mbrohen në liri.

Vendimi për lirimin e tyre është marrë pasi Gjykata Supreme e Kosovës i ka anuluar aktvendimet e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, për çështjen e paraburgosjes së gjashtë zyrtarëve të Komunës së Prishtinës. Këtë vendim gjykata e ka marrë pas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë që avokatët e të pandehurve Ridvan Shahini, Hazir Krasniqi, Ekrem Rexha dhe Halil Fejziu ia kanë drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës.

Zyrtarët komunlë ishin arrestuar në fillim të muajit nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “shpërdorim të pozitës zyrtare ose i autorizimit”. Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin për keqpërdorime në Komunën e Prishtinës, lidhur me një tender i cili ka pasur të bëjë me mbulimin e lumit Prishtevka. Gjatë zhvillimit të hetimeve dhe mbledhjes se fakteve lidhur me kryerjen e veprës, dyshohet se vlera e keqpërdorur arrin shumën prej qindra mijëra eurove. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment