Kuvendi s’e zë kabinetin qeveritar

 
Kryeministri Hashim Thaçi, të hënë ia ka shtuar kabinetit qeveritar edhe 23 zëvendësministra.

Vendimi për emërimin e tyre është marrë pikërisht në tremujorin e fillimit të punës së qeverisë Thaçi 2.

Aktualisht, numri i përgjithshëm i kabinetit qeveritar ka arritur në 46, çka në fakt, shënon edhe numër rekord në krahasim me qeverinë e mëhershme, shkruan Koha Ditore.

Kabineti i Qeverisë, i cili ka tendencë rritjeje, tash për tash përbëhet nga kryeministri, 3 zëvendës të tij që nuk drejtojnë ministri, 19 ministra (tre prej të cilëve janë edhe zëvendëskryeministra) dhe nga 23 zëvendësministra.

E gjithë kjo “armatë qeveritare”pretendohet se do t’i kushtojë buxhetit të shtetit së paku 2.5 milionë euro në vit.

Mirëpo, pos ngarkesës buxhetore, rritja e kabinetit qeveritar i ka nxjerrë problem edhe Kuvendit të Kosovës, apo institucionit që ia ka dhënë besimin për të punuar.

Kur të mbahet seanca e radhës e Kuvendit, Ibrahim Makolli, si ministër i ri, nuk do të ketë vend për t’u ulur në hapësirën e rezervuar për kabinetin qeveritar.

Në pjesën ballore të sallës janë vetëm 21 ulëse të dedikuara për qeveritarët, mirëpo që të gjithë janë zënë ende pa u zgjedhur Behgjet Pacolli zëvendëskryeministër.

Me emërimin e Makollit, ministër Diaspore, numri i anëtarëve të kabinetit qeveritar është rritur në 23. Kështu që për tu sistemuar të gjithë në sallë, Kuvendit i duhet t’i shtojë së paku edhe dy ulëse. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment