Kuvendi diskuton për masakrën e Dubravës

 
Prishtinë, 19 maj 2011 (15.10)
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga organet e drejtësisë në Kosovë që të angazhohen për ngritjen e aktakuzës për masakrën në Burgun e Dubravës, të kryer nga forcat serbe në maj të vitit 1999, por edhe për masakrat tjera të kryera gjatë luftës në Kosovë. Me kërkesë të deputetit të PDK-së, Nait Hasani, i mbijetuar nga masakra e Dubravës, ligjvënësit po debatojnë për këtë masakër, duke e cilësuar si shpërfaqjen më të mirë të karakterit të shtetit serb dhe të qëllimeve të Serbisë për spastrimin e Kosovës me vrasje dhe dëbime.
Deputeti Hasani ka thënë se kjo është një prej masakrave më të tmerrshme të kryera gjatë luftës në Kosovë, përderisa ka shtuar se kriminelët që kanë kryer këto krime vazhdojnë të sillen të lirë në Serbi, e madje edhe të ngriten në pozita.
“Kur ne debatojmë, pikërisht në këtë datë kur ka filluar bombardimi i burgut të Dubravës nga NATO, përkatësisht pikave raketore dhe radarëve serbë që ishin të vendosur në këtë vend. Udhëheqësit serbë e kanë ditur se do të ketë bombardim dhe ne do të ishim viktimat e kësaj masakre. Ajo çka ka ndodhur nuk ka mundësi as të imagjinohet as në skenarët e filmave horror. Por kjo masakër ndodhi. Atë që nuk munden të realizojnë që krimin t’ia lënë NATO-s erdhën dhe e bënë vetë”, ka thënë Hasani, duke shtuar se kjo masakër nuk mund të krahasohet as me krimet nazifashiste.
Ai ka kritikuar edhe institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare për heshtjen e kësaj masakre dhe shumë të tjerave, përderisa nuk kanë reshtur përpjekjet për pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve. Hasani ka thënë se nuk mund të ketë pajtim pa u dënuar ata që kanë bërë krime.
Ndërkohë, edhe ndaj Prokurorisë së Qarkut në Pejë Hasani ka ngritur zërin, duke thënë se kjo prokurori tash e katër vjet e ka në sirtarët e vet kallëzimin penal për masakrën e Dubravës, me emrat dhe mbiemrat e komandantëve dhe gardianëve që kanë qenë të involvuar drejtpërdrejt në këtë rast, mirëpo ka vazhduar ta mbajë të heshtur.
Duke thënë se për masakrën e Dubravës përgjegjës të drejtpërdrejtë janë shteti serb, komandantët dhe gardianët që kanë shërbyer në këtë burg, Hasani ka rekomanduar që Kuvendi të kërkojë nga prokuroria dhe gjyqësia të përshpejtojë procedurat gjyqësore për ngritjen e aktakuzës me qëllim të dënimit të kriminelëve të luftës.
Ndërkohë, edhe grupet parlamentare e kanë mbështetur rekomandimin e deputetit Hasani, përderisa kanë thënë se krimi dhe kriminelët duhet të dalin para ligjit.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se Kuvendi duhet të kërkojë nga Prokuroria e Kosovës dhe EULEX-i të merren me veprat kriminale dhe me veprat e kriminelëve të vërtetë e cila mund te shihet në çdo fshat të Kosovës, ngase çdo fshat ka varreza të dëshmorëve dhe martirëve që janë vepër e gjenocidit serb.
“Kjo është ajo për të cilën ne duhet të ngremë zërin dhe ata duhet të ndiqen dhe jo njerëzit që kanë mbrojtur njerëzit e nëpërkëmbur. Ne mund të diskutojmë sa të duam, por ne duhet të kërkojmë nga Prokuroria e Kosovës të merret me secilin rast dhe të ndjek secilin kriminel është apo nuk është në Kosovë. Por kjo është edhe detyrë e EULEX-it dhe nuk mund të pranojmë faktin që EULEX ndjek luftëtarët e UÇK-së në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë të Serbisë, e cila ka marrë pjesë në dënimin e shqiptarëve”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë gjatë debatit, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, po ashtu i mbijetuar i kësaj masakre, ka thënë se Serbia me masakrën në burgun e Dubravës u përpoq që të bëhej krimi e të fshihej pas bombardimeve të NATO-s.
“Masakra e burgut të Dubravës është njëra nga masakrat që shpërfaq karakterin e shtetit serb në raport me shqiptarët. Gjithçka ishte e planifikuar, ishte sistematike dhe kishte qëllim të qartë; Kosovën pa shqiptarët, një pjesë do të vriteshin dhe një pjesë të dëboheshin”, ka thënë Aliu, duke kërkuar që institucionet të marrin përgjegjësi për mbledhjen e fakteve, si edhe për gjithë krimet tjera dhe të bëhet presion kudo në lidhje më këto krime.
Por ai nuk është pajtuar me deputetin Nait Hasani që kjo çështje dhe zhdukja e personaliteteve të shquara nga burgu i Dubravës, sikur që është atdhetari Ukshin Hoti të ngritet nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri në takimet me delegacionin serb në Bruksel.
Ai ka thënë se do të ishte në rregull sikur të kishte kushtëzim për Serbinë me zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit dhe të shumë të zhdukurve të tjerë.
Ndërkaq deputeti Fatmir Limaj ka thënë se institucionet e drejtësisë në Kosovë nuk duhet të presin fakte apo dëshmi nga njerëzit, por duhet të nisin procedurat për zbardhjen e masakrës së Dubravës dhe shumë masakrave tjera.
“Prokuroria e shtetit ka obligim `ex oficio’ të marrë veprime, të hapë procedura penale, jo t’i thuhet Nait Hasanit e Liburn Aliut sillini ju dëshmi e ne pastaj veprojmë. Prokurori i shtetit duhet të fillojë për gjithë masakrat hetimet jo vetëm për të Dubravës, nëse duam vërtet të shkojmë deri te ndjekja reale e kryesve të këtyre krimeve”, ka thënë Limaj.
Ligjvënësit kanë kërkuar që po ashtu të ngritet një memorial përkujtimor për këtë masakër, ndërkaq është propozuar që madje të ngritet një memorial i madh në Prishtinë ku do të përkujtoheshin të gjithë shqiptarët e vrarë që nga viti 1945 e këtej.

(Kosovapress.com)

No comments:

Post a Comment