Kreu i ODIHR nesër në Tiranë, raporti i OSBE më 10 maj

Kreu i ODIHR nesër në Tiranë, raporti i OSBE më 10 majTIRANE- Dy ditë pas zgjedhjeve, saktësisht në orën 12:00 të datës 10 maj OSBE/ODHIR do të publikojë raportin paraprak mbi mbarëbajtjen e procesit zgjedhor të 8 majit.

Deklarata paraprake do të përgatitet nga konkluzionet e 298 vëzhguesve afatgjatë dhe afatshkurtër të cilët ditën e 8 majit do të shpërndahen nëpër qendrat e votimit për të verifikuar nga afër si do shkojë ky proces. Gjithashtu vëzhguesit do të jenë të pranishëm edhe gjatë procesit të numërimit nëpër qendrat e numërit.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë të caktuar nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), si dhe Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës do të prezantojnë deklaratën e tyre paraprake në një konferencë për shtyp, ditën e martë. “ informon zyra e shtypit e OSBE.

Deklarata paraprake do të lexohet nga Jonathan Stonestreet, Kreu i Misionit Vëzhgues Zgjedhor të OSBE/ODIHR-it dhe nga Hana Richtermocová, Kreu i delegacionit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale. Gjithashtu, të pranishëm në këtë konferencë për shtyp do të jenë edhe Volkram Gebel, Raportuesi i delegacionit të Kongresit, dhe Raul Mureşan, Zv. Kreu i Misionit Vëzhgues Zgjedhor i OSBE/ODIHR-it.
Ndërkohë që, Gazeta Shqiptare shkruan sot se raporti final për votimet e 8 majit do të mbahet pas dy muajsh, pra në muajin korrik.

Misioni Vëzhgues Zgjedhor i OSBE/ODIHR-it përbëhet nga 298 vëzhgues nga 30 vende, duke përfshirë 40 vëzhgues afatgjatë dhe 258 vëzhgues afatshkurtër. Delegacioni i Kongresit perbehet nga 14 përfaqësues të zgjedhur vendorë nga 11 vende, duke përfshirë edhe Komitetin e Bashkimit Europian të Rajoneve.
Që ndërkombëtarët i kushtojnë një vëmendje të posaçme zgjedhjeve të 8 majit, e tregon dhe vetë vizita e drejtorit të OSBE/ODIHR-it, Janez Lenarçiç i cili do të jetë në Tiranë nesër për të vëzhguar nga afër procesin e votimit.

Në axhendën e tij, zyrtari i lartë i OSBE-ODIHR-it parashikon që në orën 11:00 të zhvillojë një takim me Presidentin e vendit, Bamir Topi.

Kjo është hera e parë që një drejtues i lartë i OSBE-së dhe ODIHR-it vjen në Tiranë në momentin kur një shtet gjendet në zgjedhje. Në Shqipëri janë rreth 300 vëzhgues të huaj, të cilësuar si afatshkurtër të cilët do të monitorojnë zgjedhjet e 8 majit.
(BalkanWeb)

No comments:

Post a Comment