KQZ vazhdon sot numërimin e fletëve të kontestuara Basha kryeson me 22 vota

Komisioni Qendror Zgjedhor do të vazhdojë sot me numërimin e fletëve të kontestuara. Këto fletë votimi janë gjetur në kutitë e gabuara dhe janë cilësuar si të kontestueshme nga KZAZ e minibashkive të Tiranës. KQZ miratoi dje me 4 vota një akt normativ i cili lejonte numërimin e këtyre votave. Akti normativ u kundërshtua nga 3 anëtarët e tjerë të KQZ-së, të zgjedhur nga opozita, ndërkohë që jashtë KQZ- ja ishte rrethuar nga mijëra simpatizantë të PS-së dhe nga deputetë socialistë dhe ishte në mbrojtje të të paktën 1000 policëve.

Gjatë ditës së djeshme KQZ ka numëruar 20 kuti votimi tek të cilat kanë rezultuar 60 fletë votimi të panumëruara. Nga 60 fletët e numëruara, rezultuan 46 në favor të kandidatit demokrat, Lulzim Basha dhe 14 vota për Edi Ramën. Nëse këto vota do t’i shtohen rezultatit paraprak për kryeqytetit, atëhere Basha momentalisht figuron fitues me 22 vota më shumë se rivali i tij socialist i “Aleanca për të Ardhmen”. Procesi i numërimit të votave të kontestuara në KQZ zgjati për rreth 12 orë për t’u ndërprerë në orën 23:54 të mbrëmjes së djeshme. Ai pritet të rinisë sot në 10:00.

Përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj dhe Eridian Saliani, pretenduan në disa raste se KQZ nuk po vlerësonte votat e kontestuara por ato të shpallura si të pavlefshme nga KZAZ-të. “Cila është procedura? Tabela 17/84 nuk ka asnjë kontestim do të thotë se ky grup numërimi nuk i është drejtuar KZAZ por e ka vlerësuar këtë tabelë dhe e ka shpallur të pavlefshme 17 fletë votimi”, u shpreh Saliani, referuar kutisë që i përkiste KZAZ-së Nr.48, të njësisë bashkiake Nr.4. Përfaqësuesit ligjorë të PS-së, pretenduan gjithashtu se në disa nga kutitë me votat e kontestuara që u vlerësuan nga KQZ, rezultonin më shumë vota sesa votues ndërkohë që në kuti të tjera kodet e sigurisë nuk përputheshin me ato të raportuara nga vetë Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Në momentin e hapjes së kutise se pare 1759, gjatë ditës së djeshme situata u tensionua derisa degjeneroi në përplasjen fizike mes drejtorit të komisioneve zgjedhore në KQZ, Alfred Spahiu dhe dy përfaqësuesve ligjorë të PS-së, Genc Gjonçaj dhe Eridian Saliani. Palët nuk i kursyen njëra-tjetrës grushtet, shqelmat, kapjet pas xhakete deri dhe të pështyrat në fytyrë.

No comments:

Post a Comment