KQZ vazhdon sot numërimin e 11 kutive të fundit

Komisioni Qendror Zgjedhor do të vijojë sot punën me numërimin e fletëve të votimit të cilat janë gjetur në kutitë e gabuara. Kanë mbetur për tu numëruar fletët e kontestuara në 11 kuti votimi ndërkohë që nga numërimi i 52 kutive me vota të kontestuara, Lulzim Basha ka arritur të sigurojë 80 vota kundrejt 31 të akorduara për Edi Ramën. Ndërkohë që thirrja më e fundit drejtuar udhëheqësve dhe të gjithë anëtarëve të partive politike në Shqipëri për të respektuar procesin zgjedhor dhe të ruajnë qetësinë ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Filip Gordon nënvizon se dhuna dhe retorika që kërcënon për dhunë ose nënkupton akte dhune nuk është me vend dhe përbën kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë

KQZ NUMERON FLETET E KONTESTUARA, BASHA 39 VOTA NE FAVOR
Momentalisht, diferenca mes të dy kandidatëve, për kreun e Bashkisë së Tiranës, llogaritet në 39 vota në favor të Bashës duke iu referuar faktit se para numërimit të votave të kontestuara, rezultonte se Rama ishte në një avantazh prej 10 votash. Rezultatet paraprake të ditës së djeshme janë nxjerrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas shqyrtimit të kutive që i përkasin KZAZ-ve me numër 46, 48 dhe 55. Sot KQZ-ja do të vazhdojë numërimin me 11 kuti të tjera, që i përkasin KZAZ-ve nr.50, 52 dhe 53. Por, burime zyrtare nga administrata e këtij institucioni bënë të ditur se ky numër mund të shkojë deri dhe në 30. Gjatë ditës së djeshme procesi i numërimit të votave të kontestuara në KQZ zgjati për rreth 12 orë. Ai nisi rreth orës 10:28 të paradites për t'u ndërprerë në orën 21:54 të mbrëmjes së djeshme. I gjithë procesi është shoëruar me tensione jashtë KQZ ku simpatizantë të PS e deputetë socialistë shpesh tentonin të thyenin kordonin policor e të hynin në ambientet e KQZ-së. Protesta u zhvilluan dhe në qytete kryesore të vendit si Fier, Lezhë, Durrës, Vlorë e Berat ku protestuesit bllokuan për disa orë akset nacionale duke djegur goma makinash e duke bërë thirrje “poshtë qeveria” dhe “votën e vendos sovrani jo Ristani”.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment