KQZ në vitin 2007 i cilësoi të pavlefshme votat në kutitë e tjera

Kërkesa që po artikulohet tashmë zyrtarisht nga ana e Partisë Demokratike për numërimin e çdo flete për kandidatin Lulzim Basha, ndonëse ajo nuk është hedhur në kutinë e duhur, nuk është e re për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë kuadër, një rast i tillë është përsëritur edhe para 4 vitesh, pikërisht në zgjedhjet e vitit 2007, kur Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar një projekt-udhëzim në KQZ, ku kërkohej që fletët e votimit të hedhura gabimisht jo në kutinë e duhur, të konsideroheshin të vlefshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që për këtë rast të zbatojë dispozitat e Kodit Zgjedhor të përcaktuara në nenin 106, ku thuhet se fletët e votimit do të konsiderohen të kontestuara ose të pavlefshme sipas rastit.

Kryetari i KQZ-së në vitin 2007, Çlirim Gjata ka deklaruar në atë kohë se kur numërohet një kuti votimi, rezultati i dalë që aty pasqyrohet në tabelën përkatëse, dhe ky rezultat nuk mund të ndryshojë më. Ndërsa anëtari i KQZ-së, Klement Zguri ka thënë se për një rast të tillë, nëse do të vendoset që fletët e votimit të gjetura jo në kutinë e duhur të konsiderohen të vlefshme, kjo mund të krijojë shumë pështjellim dhe konflikt. Zguri po kështu ka shtuar se fleta e votimit e gjetur në kutinë e gabuar, duhet të konsiderohet e pavlefshme, pasi gabimet gjatë votimit mund të jenë të gjithanshme dhe procedurat që ndiqen janë të përcaktuara në ligj.
(gazete-shqip.com)

No comments:

Post a Comment