KQZ miraton aktin që ndalon listat më vete të PS, debate

KQZ miraton aktin që ndalon listat më vete të PS, debateTIRANË-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi sot me 4 vota pro dhe 2 kundër një akt të posaçëm, i cili ndalon përdorimin në ambientet e komisionit të qendrave të votimit (KQV) të mjeteve apo materialeve që sipas KQZ, nuk i lejon kodi zgjedhor.

Kjo shkaktoi debate në KQZ pasi PS pretendonte të përpilonte lista të votuesve më vete me qëllim ndalimin e manipulimeve që mund të ndodhnin gjatë procesit të votimit.

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se qëllimi i këtij akti është të përcaktojë se cilat materiale mund të përdoren në QV. "Akti i shërben krijimit të një situate tërësisht ligjore e displinimit të marrëdhënieve ditën e votimit në QV, si dhe shmangies së incidenteve që mund të krijohen aty, (siç janë në fakt së fundi prezente në media apo nga përfaqësuesit e partive)", tha kryetari i KQZ-së.
Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, e kundërshtoi aktin, duke e konsideruar atë të nxitur nga Partia Demokratike dhe që synon të imponojë rregulla që nuk janë të shkruara në kodin zgjedhor. "Të ndërhysh një ditë para zgjedhjeve me rregulla që janë të përcaktuara në kod, duke krijuar norma të reja, kjo nuk është korrekte dhe ligjore", tha ai.

Në përgjigje të këtij argumenti kreu i KQZ-së tha se vërtet këto rregulla janë të përcaktuara qartë në kod, por në zgjedhjet e 2009-s u ndeshëm me komisionerë që tentuan të përdorin mjete që nuk lejohej të përdoreshin në QV dhe kjo e detyroi KQZ-në në atë kohë të merrte një vendimmarrje. "Ne do të mundohemi të parandalojmë çdo tentativë të paligjshme dhe çdo rrezik që mund t'i vijë votimit apo zgjedhësve që të ushtrojnë të drejtën për të votuar të lirë e të barabartë para ligjit", tha kryetari Ristani.

Hartimi i këtij akti nga KQZ mori shkas nga deklarata e dy ditëve më parë në media e një deputeti të PS-së, sipas të cilit, komisionerët socialistë për të parandaluar manipulimet në zgjedhje do të përdorin lista zgjedhësish paralele, krahas atyre që do të ketë vetë QV-ja.
Akti i miratuar sot nga KQZ hyn në fuqi menjeherë dhe ai do t'u vihet në dispozicion të 66 KZAZ-ve në të gjithë vendin, për t'ua përcjellë më pas komisionerëve të qendrave të votimit, para hapjes zyrtare të dielën të procesit elektoral.

P/vendimi "Për ndalimin e përdorimit të disa mjeteve, që nuk parashikohen nga ligji në qendrat e votimit", i miratuar sot me votat e shumicës mbështetet në përcaktimet që bën kodi, (neni 100), ku flitet për materialet zgjedhore, të cilat u jepen KQV-ve për përdorim ditën e zgjedhjeve. Sipas p/vendimit, "gjatë procesit të votimit, anëtarët e QV-ve, në asnjë rast nuk mund të përdorin materiale si fletë votimi, procesverbale votimi, lista të zgjedhësve, etj, të cilat nuk janë sipas nenit 100 të Kodit Zgjedhor”.
Gjithashtu, me anë të këtij akti, anëtarëve të KQV-ve iu bëhet e ditur se gjatë procesit të votimit, ata dhe vëzhguesit nuk lejohet të përdorin pajisje regjistruese audiovideo, apo mjete të tjera që të regjistrojnë zgjedhësit.


(ballkanweb.com)

No comments:

Post a Comment